Rama citon Marjana Kondin: Teatër i ri, pa cënuar truallin ekzistues

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër mesazh, nga artistët që janë pro shembjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, dhe dnërtimit në truallin e saj të një teatri të ri. Rama ka cituar një mesazh të aktores Marjana Kondi, të cilin e shoqëron me komentin personal, se Kondi është një nga aktoret që ka mbledhur më shumë duartrokitje në sallë.  “Marjana Kondi, e cila i ka dhënë publikut shumë personazhe të spikatur në skenë e në ekran, është një nga aktoret që ka mbledhur më shumë duartrokitje në sallën e Teatrit Kombëtar. Ajo ka një qëndrim të qartë në debatin për godinën e teatrit, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror”, shkruan Rama.

Në mesazhin e saj, aktorja Marjana Kondi shpreh mbështetjen për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar, pasi sipas saj, pas sallës dhe lozhave të saj, pjesa tjetër është një teatër i amortizuar. “Përtej së kuqes, llozhave, poltronave dhe perdes kadife, lëngonte një teatër i amortizuar e i braktisur nga instancat shtetërore. E kuqja e sallës ishte skuqja nga turpi i këtij shpirti që vuante. Të tillë për fatin e keq e gjej dhe sot. Kjo gjendje shton nevojën për të kërkuar një teatër të ri, të mirëmbajtur, me të gjithë elementët teknik si hapësira skenike, akustika, numri i sallave, elementët audio dhe ndriçim, kapacitet të lartë të vendeve për publikun, ambiente bashkëkohore pune për aktorët”, shprehet Marjana Kondi.

Në fund, ajo shkruan shprehet gjithashtu, se dëshira e saj është që teatri të ndërtohet brenda truallit ekzistues, pa e cënuar atë.  “Dhe këtë s’e kërkoj për vete, por për gjeneratat që do vijnë. Kërkesa për një teatër të tillë (pa cënuar asnjë centimetër nga territori ekzistues). Ndaj mbështes çdo iniciativë që kërkon t’i japë kombit, qytetit, publikut, aktorëve, regjisorëve, një teatër që kemi dashur, por pa gjymtuar shtratin e sotëm të teatrit”, përfundon mesazhi i Kondit, publikuar në rrjetet sociale nga Kryeministri Edi Rama.

Skip to toolbar