Partia Demokratike ka publikuar dokumente të reja për të cilat thotë se implikojnë kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babanit, si të arrestuar dhe dënuar në Itali për vjedhje të makinave me dy identitete të ndryshme, Marq Babaj i arrestuar në 1994 dhe Fatmir Babaj i arrestuar në 1996. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi publikoi për mediat një foto ku dukej urdhër arresti i personit Fatmir Babaj, për të cilën PD pretendon se është i njëjti me kryebashkiakun Mark Babanin, por këtë herë urdhri i arrestit figuron edhe foto e Mark Babanit. Kjo, sipas selisë blu, është prova më e fortë se Fatmir Babaj dhe Mark Babani janë i njëjti person dhe kërkon nga prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku të veprojë menjëherë në lidhje me rastin. Disa ditë më parë PD, publikoi dokumente për të cilin thotë se kryebashkiaku Babani, është ndaluar në Siçili në 1994 nën identitetin e rremë Marq Babaj ku është dënuar për vjedhje makinash dhe është dëbuar nga Italia. Kjo nuk e pengoi Babanin të kthehet sërish pas dy vitesh me një tjetër identitet, atë të Fatmir Babaj, shprehet Bardhi për mediat.
“Edhe hajduti i makinave në Siçili, Mark Babani, i cili vazhdon të mbajë në mënyrë të paligjshme Bashkinë e Vaut të Dejës ka mohuar faktet për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, vepër për të cilën duhet të shkarkohet e të arrestohet. Përveç dokumentit për arrestimin në 1994-ën me një emër tjetër, dënimin, burgosjen dhe dëbimin nga Italia për vjedhjen e makinave në Siçili nga Mark Babani, Partia Demokratike disponon dokumente që Mark Babani ka përdorur një identitet tjetër të rremë për të hyrë në Itali 2 vjet më vonë, në 1996-ën.
Dokumenti që po paraqesim, që gjithashtu është nxjerr nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali, ka një element plus, të cilin Mark Babani nuk mund ta mohojë. Në këtë dokument është fotografia e tij me emrin Fatmir Babaj. Në vitin 1996, me këtë identitet të rremë, krimineli i Edi Ramës në Vaun e Dejës, ka tentuar të hyjë në Itali, pasi ishte dëbuar për vjedhjen e makinave, por është arrestuar sërish nga policia italiane. Ai u arrestua më datë 24 janar 1996 me identitetin e rremë Fatmir Babaj, dhe u mbajt në burg deri më datë 27 Janar 1996, ku u provua se ishte Marq Babaj, i dënuar në Itali për vjedhje në rrethana rënduese të kryer në bashkëpunim. Foto në sistemin Italian të burgjeve, provon se Fatmir Babaj i vitit 1996, është i njëjti me Marq Babaj e vitit 1994, dhe ekzaktësisht i njëjti person me Mark Babanin, kandidatin e Edi Ramës për Bashkinë e Vaut të Dejës.” është shprehur Bardhi për mediat.
Kryebashiaku i Vaut të Dejës Mark Babani, dy ditë më parë, i ka mohuar akuzat duke thënë se nuk ka qenë i arrestuar asnjëherë dhe se për këto shpifje do të ngrinte padi. Ndërsa për akuzat e reja të PD-së, nuk ka bërë ende asnjë reagim. Pas akuzave publike që ka ngritur Partia Demokratike, është vënë në lëvizje edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka kërkuar shenjat e gishtave të Babanit, i cili i dorëzoi gjatë ditës së mërkurë.
Ky është rasti i tretë në lidhje me kryebashkiakët e rinj socialist, që PD-ja denoncon se kanë mashtruar me plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Më herët selia blu denoncoi edhe Valdrin Pjetrin e Shkodrës, i cili dha dorëheqjen dhe Agim Kajmakun e Vorës.