Astrit Patozi: Marrëzia e opozitës s`mund të pengojë zgjedhjet

“Nuk ka asnjë forcë në tokë, ndoshta dhe jshtë kësaj toke, që mund të ndalojë vullnetin e shqiptarëve për të ndryshuar qeverisjen vendore”, është shprehur Astrit Patozi nga Korça, ku ka prezantuar kandidatin e Bindjes Demokratike për këtë bashki në zgjedhjet e 30 qershorit, Leonard Olli. Patozi thotë se duan apo nuk duan, më 30 qershor do të ketë zgjedhje, duke e quajtur lindjen e Bindjes Demokratike si forcën e perspektivës politike.

“Duan apo nuk duan 30 qershori është datë e vendosur, qytetarët janë të detyruar të votojnë për të ndryshuar qeverisjen vendore. Nuk ka asnjë forcë në këtë tokë, por ndoshta edhe jashtë kësaj toke  që mund të ndalojë vullnetin e shqiptarëve për të ndryshuar qeverisjen vendore. Leonard Olli është kandidatura e duhur për Korçën. Një djalë qytetar i Korçës. Korça do reflektojë, do reagojë sepse nuk ka arsye të eksperimentojë prapë modelin e shëmtuar që kemi përballë”.

“Korça nuk ka nevojë për dikë që thonë është djalë i mirë, por bën sic i thonë të tjerët. Korça ka nevojë për një personalitet publik që do bëjë ndryshimin e madh në këtë qytet. Një model të ri politik. Bindja Demokratike është forca e re e perspektivës politike, sepse ka lindur në kulmin e një tensioni politik. Shqiptarët kanë parë se ku e kanë çuar vendin forcat e vjetra politike që sot janë në një ndeshje për jetë a vdekje duke treguar që janë ata shkaktarët e krizës së thellë që po përjeton vendi”, tha Patozi.

Astrit Patozi e ka cilësuar aksionin  opozitar të udhëhequr nga PD-LSI si marrëzi politike, duke u shprehur se rruga për ndryshimin e situatës janë zgjedhjet, dhe jo dhuna. “Ajo protestë ishte epilogu i një marrëzie politike. Ne kemi qenë kundër djegies së mandateve, kundër daljes në rrugë, kundër revolucionit dhe goditjes së pushtetit me dhunë. Zgjedhjet i vetmi instrument që mund t’i ndryshojë gjërat në Shqipëri, sepse jemi forcë politike e djathtë dhe perëndimore”, u shpreh kreu i BD-së.

Skip to toolbar