Meta “luftë” KED: Diskriminoi Xhaferllarin për ta skualifikuar

Pasi foli për më shumë se një orë në konferencën për mediat mbrëmjen e të mërkurës, Ilir Meta publikoi dokumentin voluminoz, për të argumentuar dekretimin e Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Meta rendit disa nga detyrat që Marsida Xhaferllari ka mbajtur gjatë karrierës së saj si juriste, duke përmendur poste publike në institucione të ndryshme. Ndër arsyet, Presidenti vlerëson faktin, që sipas tij, Marsida Xhaferllari “gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Përgjatë karrierës së saj ka reflektuar aftësi vendimmarrëse dhe bashkëpunimi”, shkruan Ilir Meta.

Vlerësimin për  Marsida Xhaferllarin, Ilir Meta kërkon ta përforcojë duke sulmuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Sipas Ilir Metës, KED ka vepruar në mënyrë jokorrekte në lidhje me kandidaturën e Marsida Xhaferllarit. Meta supozon se KED ka pasur qëllim për ta skualifikuara nga gara Xhaferllarin, duke e argumentuar këtë me faktin se dy nga anëtarët e KED kanë dhënë 0 pikë për kandidaten.

Nga përmbajtja e dokumentacionit, rezultoi në mënyrë të qartë, se veprimtaria e KED-së, lidhur me ketë kandidaturë, ishte ndjekur në mënyrë jokorrekte dhe në shumë raste edhe me shkelje ligjore që synonin qartazi, diskriminimin e kandidaturës në fjalë, me qëllimin fillestar për ta s’kualifikuar në mënyrë të padrejtë apo edhe atë fundor për ta vlerësuar dhe renditur me po kaq të padrejtë, sa më poshtë në listë, për ta eleminuar nga mundësia e përzgjedhjes. Ka rezultuar se për këtë kandidate, dy anëtare të KED-së, në mënyrë të paarsyeshme, e kanë vlerësuar kandidaten me 0 (zero) pikë. Për asnjë kandidat tjetër nuk ka ndodhur një vlerësim kaq ekstrem”, shkruan Meta.

Madje, sipas Ilir Metës, për shkak të vlerësimit diskriminues të KED-s, kandidatja Marsida Xhaferllari u rendit e katërta në listën fillestare. “Vetëm për arsye të këtij vlerësimi diskriminues nga dy anëtarë të KED-së, kandidatja në fjalë, u rendit e 4-ta në radhë në listën fillestare. Presidenti i Republikës, ka analizuar dokumentacionin edhe në prizmin për të kuptuar shkaqet e vërteta të kësaj sjellje të disa anëtarëve të KED. Ka rezultuar se ndaj kandidates në fjalë është ndjekur një proces i verifikimit të kushteve të kandidimit, i ndryshëm nga kandidatët e tjerë, me nota të forta diskriminimi. Përsëri KED ka vlerësuar përfundimisht se zonja Marsida Xhaferllari i plotësonte kushtet e kandidimit”, thotë Meta.

Por pyetja që ngrihet është nëse Meta ka të drejtën të gjykojë veprimtarinë e KED-s? Në fakt, përgjigja ka ardhur nga Reforma në Drejtësi. Këtë kompetencë e rregullon Kushtetuta, e cila nën Nenin 149/d shprehet: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati”, pra Presidenti jo vetëm që ka paragjykuar një vendim të KED, por indirekt ai kërkon të futet në kompetencat që Kushtetuta ja njeh ekskluzivisht KED. /Realstory.al/

“Dekretimi” i Xhaferllarit, përplasja e re Kuvend-Presidencë

“Dekretimi” i Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Meta dhe mosnjohja e Arta Vorpsit, të emëruar në mënyrë automatike nga ligji për Gjykatën Kushtetuese sjell një përplasje të re institucionale Kuvend –Presidencë, por duket se fundin e hidhur mund ta ketë vetë Meta. Kreu i Komisionit të Ligjeve dhe njëherësh kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Ulsi Manja, por edhe deputeti i opozitës së re në Kuvend, Ralf Gjoni parashikuan një gjë të tillë në emisionin “Real Story” të datës 11 nëntor.  

Mes debateve të shumta nëse presidenti do të thërriste Arta Vorpsin për t’u betuar, solli dhe një deklaratë të fortë të deputetit të opozitës në Kuvend Ralf Gjoni, i cili tha se nëse Meta nuk thërret anëtaret e zgjedhura për t’u betuar kjo do të çojë në një përplasje të madhe Kushtetueses duke lënë të kuptohet se kjo gjë mund të zërë poshtë Presidentin dhe jo Kuvendin.

“Nëse Meta nuk thërret anëtaret e zgjedhura për t’u betuar, kjo do të çojë në një përplasje të madhe Kushtetuese, shumë më e fortë se ajo e zgjedhjeve lokale të qershorit. Kjo është një zgjedhje shumë e madhe kushtetuese midis institucionit të Kuvendit dhe atij të Presidentit dhe kam frikë se kjo do rrokulliset si orteku dhe do zërë poshtë…Mund të them se Parlamenti është organi bazë i një demokracie.”

Ndërsa Ulsi Manja ndërhyn duke lënë të kuptohet se Kuvendi do dalë në krye dhe poshtë “ortekut” do të ngec Presidenti Meta. “Sigurisht që në një Republikë Parlamentare dihen zgjidhjet…” . 

Ndaj Presidentit Meta ka nisur një proces shkarkimi, pikërisht prej dekreteve të tij të shpallura në mënyrë anti-ligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit për zgjedhjet, ndërsa Ulsi Manja, njëherësh edhe kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, tha se vendimet e fundit të Metës nuk janë objekt hetimi për shkarkimin, por që do të merren parasysh në kuadrin e përgjithshëm kur të merret vendimi. / Real Story

Kushtetuesja, KED lejon kandidimin e Xhaferrllarit. 6 kandidatë për 4 anëtarë

Marsida Xhaferrllari është kandidatja e fundit e miratuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për garën në Gjykatën Kushtetuese, duke e çuar në numrin total të kandidatëve për 4 vendet vakante.  Kandidatura e saj u vlerësua dhe pranua nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi gjatë mbledhjes të martën, ndërsa sipas njoftimit po të këtij institucioni të mërkurën pritet të hapet zyrtarisht procedura e pikëzimit, që do të përcaktojë renditjen për secilin kandidat, qoftë ai nga Presidenti, qoftë nga Kuvendi.

Në mbledhjen e së martës, KED vendosi të pranonte kandidaturën e  Xhaferllarit, e cila kandidon për vendet vakante për Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti, por edhe për vakancat për drejtimin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, pasi ajo ka konkurruar për të dy funksionet. KED ka njoftuar se të mërkurën do të nisë procedura dhe intervistimi i kandidatëve për të bërë vlerësimin, pikëzimin dhe të renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe ILD-në pa humbur kohë në mënyrë që në shtator të dy këto institucione të jenë funksionale.  

Marsida Xhaferrllari i bashkohet kështu garës për vakancat e Gjykatës Kushtetuese me 6 kandidatët e konfirmuar nga KED për 4 anëtarë të Kushtetueses. Pra, për të zgjedhur 4 anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti dhe Kuvendi duhet të vendosin mes 6 emrave të konfirmuar nga KED dhe Xhaferllarit, të sapozgjedhur si pjesë e garës. Konktretisht në garë janë: Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferrllari dhe Regleta Panajoti. Xhaferrllari kandidon edhe për ILD, bashkë me 3 kandidatët e tjerë Artur Metani, Eris Hysi dhe Artur Malaj.

Marsida Xhaferrllari, e cila ka qenë kryeinspektore pranë ish-Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u zgjodh nga KED edhe pse procesi i vettingut nuk dha një përgjigje apo një përfundim për të në muajin mars të 2019. Edhe pse ajo kaloi të gjitha fazat e rivlerësimit të pasurisë, aftësive personale dhe pastërtisë së figurës, KPK doli me deklaratën  përfundimtare duke thënë se për shkak se Xhaferrllari kishte humbur statusin e magjistratit nuk mund të vendoste për konfirmim apo jo të saj. Një rast i paprecedentë i KPK, pasi ligji e detyron atë që të marrë një vendim për çdo rast edhe kur një person nuk e gëzon statusin e magjistratit. /RealStory.al

Skip to toolbar