Opozita njeh 30 qershorin, kërkon materialet zgjedhore

Partia Demokratike bën hapin e parë zyrtar, në atë që mund të quhet “njohje e 30 qershorit”. Ndonëse nuk u fut në zgjedhje, është shprehur se nuk i njeh ato, se janë të paligjshme, Partia Demokratike ka nisur një aksion të ri, që sipas saj, “bëhet në emër të transparencës për të dëshmuar manipulimin e votave më 30 qershor”. Pasditen e të martës, PD ka shpërndarë një njoftim, ku tregon se i ka dërguar kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të vënë në dispozicion materialet zgjedhore, referuar sipas saj, Kodit të Procedurës Admministrative dhe Kodit për të Drejtën e Informimit. PD vendos dhe kusht, që materialet zgjedhore të jenë në dispocion të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, brenda 10 ditësh.

Kërkesa e PD-së, e cila theksojmë që nuk i njeh zgjedhjet dhe nuk mori pjesë në to, argumentohet si një e drejtë për të dëshmuar manipulimin e votave për kryetar bashkie më 30 qershor. Kërkesa ndaj KQZ është bërë nga Gazmend Bardhi në emër të koalicionit opozitar, ku opozita ka të përmbledhura 8 elementë në kërkesën e saj: Kopje të listave zgjedhore, kopje të Tabelës Përmbledhëse të rezultatit për çdo zonë zgjedhore, kopjet e rezultatit për njësitë e qeverisjes vendore, për rezultatin në qendrat e votimit, kopje të procesverbalit për mbylljen e votimit, kopje të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe KZAZ përkatëse, duke specifikuar për secilin administratën zgjedhore në të cilën ai bën pjesë, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe Grup Numërimi.

Kopje të regjistrimit të kamerave të të gjitha tavolinave të numërimit në çdo Grup të Numërimit të Votave si dhe kopje të regjistrimit të kamerave të ambienteve të brendshme të KZAZ-ve”, shkruan PD. Për këtë kërkesë, PD shprehet se ka njoftuar dhe shefen e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, e cila zhvilloi një takim me Lulzim Bashën paraditen e së martës. Kjo lëvizje e radhës, përfshi dhe atë të pak ditëve më parë për kallëzimin ndaj kreut të KQZ dhe deputetit Taulant Balla, tregojnë se opozita pranon 30 zgjedhorin zyrtarisht si datën legjitime të mbajtjes së zgjedhjeve.


Mban peng QV, KQZ-Voltanës: Bashkëpuno ose…burg

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se materialet zgjedhore janë shpërndarë pothuajse në të gjithë vendin. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënsja e KQZ-së, njoftoi se materialet zgjedhore janë duke u shpërndarë nga 90-të KZAZ-të në të gjithë vendin, për 5417 qendra votimit. Sipas KQZ-së, deri në orët e pasdites të së shtunës, ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore nga 53 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, ndërkohë, sipas KQZ-së, në të gjitha KAZA-të e tjera procesi është drejt përfundimit.

Megjithatë, vetëm në KZAZ-në NR.6, bashkia Vau i Dejës, procesi shpërndarjes së materialeve të votimit në qendrat ku do të zhvillohet procesi të dielën, ka nisur me vonesë. Kryesja është djegia e materialeve të para zgjedhore nga militantët e PD-së tre ditë më parë, çka detoryi KQZ-në të riprintonte fletë të reja votimi dhe pajisje logjistike të nevojshme për votimet. Megjithatë, edhe në KZAZ-në e Vaut të Dejës, materialet zgjedhore do të shpërndahen brenda të shtunës në 53 qendrat e votimit të kësaj bashkie.

Qarku i Shkodrës mbetet më problematiku deri më tani sipas KQZ-së, pasi 50% e qendrave të votimit mbahen të mbyllura me forcë nga autoritetet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë thirrje Voltana Ademit që të heq dorë nga pengimi i zgjedhjeve, duke i kujtuar asaj se pengimi i zgjedhjeve konsiderohet vepër penale.

Megjithatë, edhe pse bashkia Shkodër dhe kryetarja e saj, Voltana Ademi kanë bllokuar qendrat e votimit, në disa prej tyre, ashtu siç konfirmoi KQZ-ja, materialet zgjedhore janë shpërndarë. Për këtë arsye, ka reguar kryebashkiakja e Shkodrës, e cila i ka quajtur “hapje me dhunë të institucioneve publike” dhe “njollosje të të drejtës së votës së lirë”, duke u shprehur se të gjitha, sipas Voltana Ademit, do të filmohen dhe do tu jepen autoriteteve të huaja, si OSBE-ODIHR.

U dogjën nga militantët e PD-së, KQZ dërgon fletët e reja të votimit në Vaun e Dejës

Të enjten militantët e Partisë Demokratike, të udhëhequr nga drejtues të lartë të Bashkisë së Vaut të Dejës, dhe të afërm të kryebashkiakut, dogjën dhe shkatërruan materialet zgjedhore të KZAZ-së Nr.6. Materialet zgjedhore janë bërë të papërdorshme për zgjedhjet e 30 qershorit, ndaj, Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që t`i zëvendësojë në kohë rekord këto materiale, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për zgjedhjet e 30 qershorit. Gjatë mbledhjes së ditës së premte, KQZ ka vendosur të nxjerrë jashtë përdorimit materialet zgjedhore (fletë votimi ,vula, kuti votimi, kode sigurie), të KZAZ-së Nr.6, duke i zëvendësuar ato me të tjera.

“Për nxjerrjen jashtë përdorimit të materialeve zgjedhore (fletë votimi ,vula, kuti votimi, kode siguri) të qendrave të votimit në KZAZ nr.6, Qarku Shkodër dhe zëvendësimin e tyre me materialet zgjedhore të nevojshme”.  KQZ vendosi të nxjerrë jashtë përdorimit fletët e votimit për kryetar dhe kandidat për këshillin e bashkisë Vau i Dejës, dhe të prodhojë e pajisë KZAZ-në nr. 6 me 39.527 fletë votimi për kandidatët për kryetar dhe 39.527 fletë votimi për kandidatët për këshillin e bashkisë Vau i Dejës”.

“Gjithashtu KQZ vendosi të nxirren jashtë përdorimit vulat e KQZ-ve dhe të zëvëndësohen ato me vulat rezervë. Të nxirren jashtë përdorimit vulat e kryetarëve të 53 KQV-ve të KZAZ-së nr. 06, dhe të prodhoje e pajisë KZAZ-në nr. 6 me 53 vula për kryetarët e KQV-ve. KQZ vendosi të dërgojë në KZAZ-në nr. 6, 106 kuti votimi dhe kuti të materialeve zgjedhore së bashku me kodet e sigurisë përkatëse.  KQZ vendosi të dërgojë në KAZ-nr. 6, Qarku Shkodër, të gjithë materialet e tjera zgjedhore të parashikuara nga neni 99 i Kodit Zgjedhor”, shkruhet në njoftimin e KQZ-së.

Skip to toolbar