Pas mbledhjes së kryesisë PD-së, Basha ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka sqaruar qëndrimin që do të mbajë opozita në vijimësi të aksioni të saj për rrëzimin e qeverisë dhe mosmbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Basha tha se protestat do të vijojnë dhe se vendi ndodhet në grusht shteti ku tashmë çdokush e ka marrë vesh se kjo qeveri ka ardhur në parlament me votë të vjedhur.
“Gjatë ditës së sotme, PD ka shqyrtuar gjendjen e rëndë ku ndodhet vendi pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pas kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm, sot Shqipëria ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, i cili ka frikë nga zbardhja e dosjeve ku janë përfshirë kryeministri dhe banditët e Rilindjes për të vjedhur zgjedhjet në Dibër dhe në mbarë Shqipërinë. Gazeta Bild ka treguar se kemi një qeveri që udhëhiqet nga kriminelë dhe gangsterë, ka zbuluar sesi në përgjimet e Dibrës figuron vetë Edi Rama duke folur për të vjedhur vota. Zonja Gjylameti është vetë pjesë e votës 184, ndërsa zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së Xibrakës. E vërteta që mbetet është që nuk ka njeri që nuk e ka marrë vesh se Rama ka vjedhur votat, se parlamenti është produkt i votës së vjedhur. Jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Rama ka caktuar kursin e përplasjes me popullin.” – tha Basha