Qeveria blindon SPAK dhe Byronë e Hetimit

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit BKH janë organet e reja që do i shtohet sistemit të drejtësisë për të luftuar korrupsionin në nivele të larta të qeverisjes.

Procesi i ngritjes së tyre është ende në fazën e verifikimit nga Vettingu të kandidatëve që kanë aplikuar për të qenë pjesë e këtyre strukturave të reja të drejtësisë. Kjo nuk e ka penguar qeverinë që të miratojë masat mbrojtëse të ruajtjes personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm që do të vendosen në drejtimin e SPAK dhe BKH. Në disa raste qeveria ka miratuar edhe marrjen në mbrojtje të familjarëve të prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm nëse në adresë të tyre vijnë kërcënime për jetën.

Në vendimin e qeverisë theksohet se drejtuesit e SPAK dhe BKH kanë të drejtë t’u sigurohet mbrojtje personale, madje edhe familjarëve të tyre . Ato do të kenë në dispozicion një oficer dhe një nënoficer që do t’i shoqërojë gjatë gjithë kohës.

Prokurorët dhe gjyqtarët,  kandidat për SPAK pritet të përfundojnë  procesin e vettingut, një proces që verifikon të ardhurat e pasurisë, pastërtinë e figurës së tyre dhe aftësitë profesionale. Pas kalimit të vettingut, kandidatët do të jenë në garë për t’u zgjedhur, të cilët do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.  Prokuroria e Posaçme do të kryej funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm dhe do të monitorohet nga ndërkombëtarët. Kjo strukturë e veçantë që do të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë politikanët dhe zyrtarët e lartë për rastet e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.

Vendimi i plotë

PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit u sigurohet mbrojtja personale, sipas parashikimeve të ligjit nr 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

Mbrojtja personale, e parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, ofrohet mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga subjekti që kërkon të mbrohet.

Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me oficer e nënoficer.

Garantimi i mbrojtjes personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme bëhet sipas rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit.

Në raste të veçanta dhe me kërkesë të kryetarit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, sigurohet mbrojtje për anëtarët e familjes, banesat dhe/ose eskortë për gjyqtarët dhe prokurorët.

Zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, për shkak të apo gjatë ushtrimit të detyrës, u sigurohet mbrojtje personale e jetës, shëndetit dhe pronës, nëse kërkohet nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në rastet e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme si dhe të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa depozitohet pranë komisionit të posaçëm që ngrihet e funksionon sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij.

Në rastet e zëvendësdrejtorit apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kërkesa vlerësohet nga komisioni i posaçëm, i cili përbëhet nga:

– një përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme;

– një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;

– një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme;

– drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit;

– një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kryetar i komisionit të përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi, është përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme. Në mungesë të kryetarit, anëtarët thirren nga personi i autorizuar prej tij, i cili kryeson mbledhjen e komisionit.

Kërkesa për mbrojtje i paraqitet komisionit atëherë kur ka të dhëna të besueshme, që provojnë se subjektit kërkues apo subjekteve të parashikuara në pikën 6, të këtij vendimi, u rrezikohet jeta, familja ose prona.

Procedurat që ndiqen nga komisioni janë të njëjta me procedurat e ndjekura nga komisioni i posaçëm, që garanton mbrojtje të veçantë për magjistratët.

Oficerët e caktuar për sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, familjeve dhe banesave të tyre nuk zëvendësohen pa marrë, paraprakisht, miratimin e kryetarit të Gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Komisionet e posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë, kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, sipas këtij vendimi, si dhe të banesave të tyre.

Struktura dhe organika e nevojshme për ruajtjen e shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, sipas këtij vendimi, së bashku me ruajtjen e banesave ose të rezidencave të tyre, si dhe kriteret e përzgjedhjes së efektivave që ngarkohen me këtë detyrë, miratohet sipas legjislacionit në fuqi.

Ngarkohen kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ministria e Brendshme, Garda e Republikës së Shqipërisë dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Skip to toolbar