“Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata”, Rama paralajmëron mediat

Kryeministri Edi Rama reagoi të hënën, duke u kërkuar mediave të jenë më të përmbajtura në informacionet që transmetojnë. Rama bëri një apel të fortë, duke u shprehur se “mos na detyroni të bëjmë atë që s`ua rrok imagjinata”, ndërsa kërkoi që mediat të filtrojnë informacionin përpara se ta publikojnë atë.

“Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore, Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër, paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit! Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata”.

“Filtroni informacionet dhe verifikoni ato që thoni! Menaxhoni debatet dhe ndaloni klithmat nëpër studiot tv dhe përfshihuni në qetësimin e shpirtrave të goditur më keq se banesat! Kontribuoni për të kanalizuar energjinë e jashtëzakonshme të solidaritetit mbarëshqiptar”.

“Kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit që ju ndjek dhe jo për rrenat e shamatatë karakteristike të veprimtarisë së një pjese të madhe të sferës suaj”, shkruan Rama.

Në prag shkarkimi, Meta sulmon mediat, sqaron “sekretin” e djegies së Kuvendit

Meta nuk i ndal sulmet e tij, ku përveç mazhorancës, ndërkombëtarëve e ndonjëherë edhe opozitës, ka përfshirë në listën e tij edhe mediat në vend. Kreu i Shtetit i ka i cilësuar ato si pjesë e shtetit të propagandës, duke krijuar një “antagonizëm” me fjalën e lirë të medias.

Në përpjekje për të sqaruar se nga kush e mori informacioni sekret se më 8 qershor do të digjej Kuvendi, në reagimin e Presidencës, sulmohen disa media e portale duke i cilësuar si pjesë e shtetit të propagandës që dezinformojnë opinionin publik me lajmin e rremë, sikur Meta po mban sekret raportin që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit në datën 8 qershor 2019. Presidenca sqaron edhe rrugën që ka ndjekur Meta në lidhje me informacionin sekret që e paralajmëronte atë se do të digjej Kuvendi.  Kreu i shteti Ilir Meta i ka dërguar një letër institucionit të lartë të sigurisë kombëtare që t’i verë në dispozicion edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019 si dhe ka informuar edhe Kuvendin në lidhje me kërkesën e tij.

Me keqardhje, por pa çudi, portale dhe gazeta të SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve, me kokëfortësi të shpjegueshme, vazhdojnë ende të dezinformojnë opinionin publik me lajmin e rremë, sikur Presidenti Meta po mban sekret raportin e prodhuar nga institucioni i lartë i sigurisë kombëtare, që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit në datën 8 qershor 2019.  Sikundër Kreu i Shtetit e sqaroi edhe dje shumë qartë, jam i detyruar të rikonfirmoj se:

Ditën e djeshme, Institucioni i Presidentit i ka nisur një kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që mbështetur mbi ligj, t’i verë në dispozion edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019. Po dje, Institucioni i Kreut të Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme.” – shkruhet ndër të tjera në reagimin e Presidencës.

Kulluri dërrmon Bashën për dokumentin kundër mediave

Me anë të një qarkore të brendshme, Partia Demokratike i etiketonte si ‘armike’ disa media, përfshirë dhe Realstory.al, duke i akuzuar ato për qëndrime ‘antiopozitare’. Dokumenti i publikuar nga disa portale, është publikuar dhe në Realstory.al, ku pikërisht një ndër mediat që sulmon Lulzim Basha jemi dhe ne. Pas publikimit të këtij dokumenti, ka ardhur reagimi i  disa figurave të rëndësishme të kësaj partie, të cilët e quajnë të tuprshme dhe qesharake këtë qëndrim të PD-së ndaj mediave.

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar, Edvin Kulluri ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të PD për mediat, duke e quajtur të ‘turpshëm’. “Nëse ky  dokument është i vërtetë është një turp i parapri! Si mundet partia që rrëzoi komunizmin dhe sanksionoi lirinë e shprehjes dhe medias të trajtojë me këtë fjalor komunist mediat që kanë qëndrime ndryshe nga Lulzim Basha!”, shkruan Kulluri. Më tej ai vijon duke u shprehur se Basha dhe bashkëpunëtorët e tij mund t`i përgjigjen mediave nëse nuk bien dakord, por jo ti etiketojnë si “armiq”.

 “Si mundet që të njëjtat qëndrime të Edi Ramës për gazetarët që s`i pëlqejnë si “kazan” etj, t`i përdorë edhe më keq Partia Demokratike e Shqipërisë?! Basha dhe bashkëpunëtorët e tij mund t`i përgjigjen mediave dhe gazetarëve me të cilët nuk bien dakord dhe të polemizojnë me to nëse nuk janë dakord, por t`i etiketosh si Komiteti Qendror i PPSH  njëherë e një kohë “armiqtë e vijës së Partisë dhe Shokut Enver”, është më së shumti e turpshme dhe më së paku qesharake”, shkruan Kulluri.

Email u është dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe forumeve drejtuese të PD, më 23 gusht, ndërkohë që veç sulmeve ndaj Realstory, Basha ka vënë në shënjestër edhe dy portale të tjera. “Për të sulmuar me shpifje dhe të pavërteta PD dhe lidershipin e saj, Edi Rama, pas konsultimit të madh të Mero Bazes dhe Skënder Minxhozit, prej shumë vitesh në shërbim të pushtet të Edi Ramës, ka hedhur në skakierën antiopozitare edhe Sokol Ballën me portalin Realstory”, deklaron Basha në shkresën e tij.

E kritikuan për qëndrimet në samitin e G-7, Trump sulmon mediat amerikane

Presidenti Donald Trump shprehu zemërim ndaj mediave kryesore amerikane për mënyrën se si e mbuluan pjesëmarrjen e tij në samitin e G-7s në Francë. Ai mbrojti gjithashtu preferencën e tij që samiti i vitit të ardhshëm të mbahet në njërin nga vendpushimet e tij private në shtetin Florida.

Një pjesë e mirë e mbulimit mediatik të presidentit amerikan në samitin e Francës, i cili përfundoi të hënën, nuk e paraqiti Presidentin Trump në dritë pozitive, duke e vënë theksin tek keqkuptimet, tek ato që disa i quajtën gafa apo te mungesa e bashkëpunimit me udhëheqësit e tjerë botërorë për çështje të tilla kritike si mjedisi.

“Është për të ardhur keq që i tërë spektakli i G-7s tregoi se ishte pjesë e një normaleje të re, ku demokracitë më të mëdha liberale të botës pranojnë që nuk janë në sinkron me presidentin e vendit, i cili duhet të udhëheqë përpjekjet e tyre për të menaxhuar botën dhe burimet e saj me mençuri dhe përgjegjësi, por që në fakt nuk vepron ashtu,” thuhej në editorialin e bordit të gazetës New York Times, e cila vjen çdo mëngjes në tryezën e Presidentit Trump.

Redaktori i rubrikës për kontrollin e fakteve në gazetën Washington Post, Glenn Kessler shkruante se gjatë konferencës së gjatë për shtyp të presidentit në mbyllje të G-7s, Presidenti Trump “bëri shumë deklarata false, mashtruese ose të pasakta për një sërë çështjesh.”

Zoti Trump, i cili i ka kritikuar në mënyrë të përsëritur të dyja gazetat kryesore për mbulimin që i bëjnë atij, deklaroi të martën në mëngjes në Twitter se “G-7a ishte një sukses i madh për SHBA dhe për të gjithë. Mbulimi nga ana e Medias së Çalë nuk kishte asnjë lidhje me atë që ndodhi në të vërtetë në Francë – FAKE NEWS. Ishte e mrekullueshme!.”

Ish nënpresidenti Joe Biden, një nga kandidatët kryesorë të Partisë Demokrate, i cili sfidon zotin Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, publikoi një deklaratë që e karakterizon performancën e presidentit në G-7 si “një tjetër dëshmi se si politika e jashtme katastrofale e Presidentit Trump i ka lënë Shtetet e Bashkuara në izolim, ndërsa bota lëviz pa ne”.

Zoti Biden shtonte se “Nuk ka metaforë më tipike që tregon se si kjo administratë ka hequr dorë nga udhëheqja globale amerikane sesa karrigia bosh në takimin e G-7s për klimën. Kur bëhet fjalë për të zgjidhur krizën ekzistenciale të kohës sonë, Trump largohet nga tryeza në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.”

President Trump po përballet gjithashtu me kritika për thirrjen që Rusia të pranohet në samitin e udhëheqësve pa parakushte.

“Asnjë anëtar tjetër i grupit nuk ka propozuar që Rusia të kthehet në G-7, siç propozoi ai, por që ata rezistuan. Me këtë, zoti Trump theksoi statusin e tij të izoluar”, shkruante Michael D’Antonio, autor i librit “E vërteta për Trump”, në një opinion të botuar në faqen e internetit të rrjetit CNN, një entitet tjetër mediatik që Presidenti Trump e ka etiketuar shpesh si “lajme të rreme”.

Katër senatorë të Partisë Demokrate i dërguan të martën zotit Trump një letër ku shprehin kundërshtimin e tyre të fortë që presidenti rus Vladimir Putin të ulet së bashku me drejtuesit e grupit të demokracive të industrializuara.

“Të ripranosh Rusinë e Putinit në G-7 do të ishte në kundërshtim me vlerat tona dhe një mohim i qartë i përgjegjësive të Shteteve të Bashkuara si demokracia kryesore në botë,” përfundon letra e nënshkruar nga senatorët Jack Reed, Charles Schumer, Robert Menendez dhe Mark Warner.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të hënën në Biarritz se samiti i G-7s i vitit të ardhshëm, me mikpritës Shtetet e Bashkuara, mund të mbahet në vendpushimin e tij privat në Doral të Floridës.

Presidenti vuri në dukje, mes të tjerash, afërsinë e vendpushimit nga aeroporti ndërkombëtar i Majemit dhe sallat apo parkimet e tij të bollshme.

Walter Shaub, ish drejtor i Zyrës Qeveritare për Etikën, tha se presidenti, duke sugjeruar që takimi të mbahet në pronën e tij “ngre mundësinë shumë reale që procesi i prokurimit të preket nga ndikimi korruptiv”.

Kongresmeni republikan Rick Santorum e quajti “të papërshtatshëm” reklamimin nga presidenti të një prej pronave të tij private. Zoti Trump “nuk i bën vetes asgjë të mirë me gjëra të tilla,” tha zoti Santorum në CNN. “Ju lutem zoti President. Ndalni. Ju lutem.”

Raportimet që pasuan në lidhje me vendpushimin si një vend i mundshëm për mbajtjen e samitit, vinin në dukje një shkrim të janarit 2017 në gazetën Miami Herald lidhur me me një marrëveshje për zgjidhje ligjore mes vendpushimit të golfit të quajtur Trump National Doral Miami dhe një udhëtari biznesi që e kishte paditur vendpushimin, me pretendimin se tartabiqet i kishin gllabëruar pjesën e sipërme të trupit gjatë qëndrimit në rezort.

Zoti Trump u përgjigj të martën në Twitter:

“Në Doral nuk ka asnjë tartabiq. Demokratët e së Majtës Radikale, kur dëgjuan se Doral National Miami, i cili ndodhet në vendin e përkryer (për G-7n e radhës) ishte duke u shqyrtuar si mundësi për G-7n e ardhshme, përhapën atë thashethem të rremë dhe të ulët. Jo mirë!”/VOA/

1 ton drogë në Velierë, Policia sqaron mediat greke: Në Sarandë ishte “Dream”, jo “My Dream”

Të premten në Greqi u kap një Velierë me rreth 1 ton drogë, e cila sipas mediave në vendin fqinj, ishte nisur nga porti i Sarandës. Në anijen e vogël turistike, bllokuar në gjirin “Porto Kagio” në lindje të Manit në Githio, u gjetën 637 pako me drogë e ndarë në 50 çanta të zeza. Mësohet se anija kishte flamurin e Delaëare. Por, pas publikimit të lajmit nga mediat greke për këtë sasi droge të kapur në shtetin fqinj, dhe dyshimet se anija ishte nisur nga Shqipëria, ka ardhur reagimi i Policisë së Shtetit. Në një deklaratë për mediat, policia shqiptare ka sqaruar se anija e kapur në Greqi me drogë, nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri dhe në portin e Sarandës.

“Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media greke se mjeti lundrues që u kap në Peloponez me një sasi hashashi, dyshohet se kishte ardhur nga Shqipëria, informojmë se: Policia e Shtetit, në kuadër bashkëpunimit me homologët për të parandaluar dhe luftuar trafikun e lëndëve narkotike, duke shkëmbyer informacion në kohë reale apo duke zhvilluar operacione të përbashkëta, menjëherë pas kapjes nga autoritet greke të mjetit lundrues është vënë në djeni nga homologët, për të dhënat e mjetit dhe personat në bord me qëllim verifikimin e tyre. Të ndaluarit janë shtetas ukrainas. Nga verifikimi i bërë në regjistrat e PKK Sarandë, Himarë, Vlorë, Porti Jahteve Orikum dhe QNOD, për disa muaj, mjeti lundrues Veleria “MY DREAM” i kapur me drogë dhe dy personat ukrainas në bord, nuk kanë hyrje-dalje në Shqipëri”, thuhet në komunikatën e policisë.

Ndërkohë, Policia e Shtetit, duke sqaruar se gjatë kësaj periudhe nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues i dyshimtë që ka lëvizuar në ujërat shqiptare, ka sqaruar se në 15 gusht në Sarandë ka hyr një mjet Yaht me emrin “Dream”, me 3 shtetas turq në bord. Por, sipas policisë ky Yaht me atë të kapur në Greqi, dhe shtetasit e ndaluar nga policia greke, nuk kanë asnjë lidhje me atë që ka qenë në Sarandë.

“Sqarojmë faktin se në 15 gusht në Sarandë ka hyrë një mjet lundrues Yaht me emrin “Dream” me 3 shtetas turq në bord, të cilët kanë kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Ky mjet nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues Veleria të kapur me drogë në Greqi. Policia e Shtetit edhe njëherë shpreh vendosmërinë dhe angazhimin për luftë kundër krimit të organizuar dhe krimit në tërësi, si dhe  mbetet e fokusuar çdo ditë e më tepër në forcimin e bashkëpunimit me partnerët për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe terrorizmin”, përfundon deklarata e Policisë së Shtetit.

VOA raport për mediat: Vështirësi me financimet

Sektori i medias në Shqipëri po kalon kohëra të vështira financiare pas rrudhjes së tregut të reklamave vit pas viti. E megjithatë ai vazhdon të mbijetojë. Një studim i IREX nxjerr në pah, se numri i madh i mediave në një treg kaq të vogël nuk lidhet me blerjet e lexuesve apo shikuesve por me interesat momentale të tyre duke bërë favore në drejtime të ndryshme. Analistë dhe ekspertë vërejnë, se në sektorin mediatik qarkullojnë mjaft interesa politike dhe para të padeklaruara. Një tjetër shqetësim lidhet me kufizimin e pronësisë në media një nen i ligjit për mediat audiovizive që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese pas një përpjekje të dështuar të përfaqësuesve të shumicës qeverisëse për ta realizuar një gjë të tillë në parlament.

Në Shqipëri sektori i medias përfshin afro 1100 subjekte. 65 TV, 72 Radio, 800 media on line, 16 mediaprint, 68 periodike, 3 platforma dixhitale, 124 platforma kabllore. IREX në një studim mbi indeksin e qëndrueshmërisë së medias në botë nënvizon për Shqipërinë, se financimi i medias shqiptare mbetet një mister për shumë vite dhe se është ende e panjohur, se si shumë media veprojnë dhe mbijetojnë në një treg kaq të vogël.

Tregu i reklamave prej 39 milionë euro nënvizohet në këtë studim është më i ulëti në rajon dhe po ulet vazhdimisht. Numri i madh i televizioneve, gazetave dhe portaleve nuk mbijeton nga blerjet e lexuesit apo shikuesit, thuhet në studim, por nga lidhjet e interesave momentale të tyre duke bërë favore në drejtime të ndryshme.

Ekspertët dhe analistët vërejnë se mjaft media kanë financime që nuk vijnë nga tregu i reklamave ,që gjithashtu është në ulje për shkak të ngadalësimit të ekonomisë. Ato mbështeten nga kompani të tjera, pra nga biznese mbështetëse brenda së njëjtës pronësi.

“Me rënien e buxheteve të kompaninve reklamuese, ka patur vitet e fundit një stanjacion ose tkurrje të të ardhurave të televizioneve kryesore dhe kjo është reflektuar në uljen e fitimit. Sepse duhet të kemi parasysh dhe një gjë, që televizionet kanë qenë në një konkurencë shumë të madhe mes tyre, dhe janë detyruar të investojnë dhe nga ana tjetër mjedisi reklamues dhe të ardhurat kanë qenë në rënie. Fitimi maksimal është diku tek 2 milion euro në vit, ndërsa fitimi minimal afërsisht 30 mijë euro. Ka dhe televizione që janë me humbje”- thotë Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës “Monitor”.

“Ajo që është akoma më e çuditshme është fakti, se megjithëse ky fenomen ka ndodhur, tregu i reklamave është tkurrur, numri i mediave on line dhe numri i televizioneve vazhdon të jetë i njëjtë, ose më shumë. Kjo tregon qartë se media është preh e parave të padeklaruara. Këto para në përgjithësi janë para që investohen për interesa politike”- shprehet analisti Enton Abilekaj.

Kryeministri Edi Rama është i vetëdijshëm për këtë situatë, kur pranon faktin e një gjenerimi të tejskajshëm të pasurisë në media, gjatë një konference rajonale për lirinë e medias në nëntor të 2017-ës.

“Sot në media në media gjenerohet një pasuri e tejskajshme. Nëse flasim për përfitime të paligjshme, nëse flasim për rritje të disproporcionale të të adhurave të personave, kjo thuhet në media se s’ka ku thuhet tjetër, por nuk e përjashton median” – tha Kryeministri Edi Rama.

Ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj në shkurt të vitit 2018 shkoi më tej duke bërë një deklaratë të fortë në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, kur tha se krimi i organizuar financon para dhe influencë edhe në media dhe se për këtë ai kishte indicie.

“Kjo mund të ishte një deklaratë që bëhet nga opozita, që akuzon krimin e organizuar që ka akses në media. Por nëse e bën një ministër i brendshëm këtë deklaratë atëherë do të thotë që Ministria e Brendshme nuk ekziston. Por në momentin, që ky problem ngrihet nga të gjithë dhe nuk e adreson qeveria, atëherë mund të themi se qeveria është më e interesuar së të gjithë që këto para, këto financime të fshehta të mos zbardhen kurrë”- shpjegon analisti Enton Abilekaj.

Një shqetësim i përfaqësuesve ndërkombëtar lidhet me pronësinë në media. Neni 62 i Ligjit për mediat audiovizive i miratuar në kuvend në vitin 2013 kufizonte pronësinë në një transmetues kombëtar dhe nuk lejonte një person fizik apo etnitet të kontrollonte më shumë se 40% të aksioneve. Kjo ishte një masë për të shkëputur politikën editoriale të një media nga interesat e një pronari të vetëm. Vetëm dy vite pas miratimit kryhen tentativa nga përfaqësues të shumicës për ta zhbërë këtë nen.

“Ka patur dy tentativa, njëra prej të cilave e suksesshme. Tentativa e parë ishte e deputetit socialist Taulant Balla për ta shfuqizuar këtë nen në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që u zhbë pas protestave të faktorit ndërkombëtar. Dhe një e dytë ishte nga shoqata e mediave audiovizive që e dërgoi nenin 62 në Gjykatë Kushtetuese e cila gjykoi që ky kufizim është në disporpocion me qëllimin”- shpjegon Gjergj Erebara, gazetar i BIRN.

Edhe OSBE ka shfaqur shqetësim në lidhje me shfuqizimin e këtij neni nga Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar dispozitën ligjore që kufizonte pronësinë në media, por kjo nuk duhet ta pengojë Kuvendin të kërkojë mënyra të tjera për të garantuar pluralizmin në fushën e medias”- u shpreh Ambasadori i OSBE Bernd Bochardt.

Mazhoranca ndodhet sot përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi nenin që kufizon pronësinë në media. Kjo çështje ka marrë vëmendje dhe në progres-raportin e Komisionit Europian.

“Progres raporti i vitit 2016 i lë Shqipërisë tre detyra shtëpie për përmirësimin e gjendjes së medias në vend.1. Harmonizimin e legjislacionit për rritjen e transparencës.2. Kufizimin e të drejtës së pronësisë së medias në bazë të standardeve ndërkombëtare, dhe forcimin e pavarësisë së Radiotelevizionit public shqiptar”- shpjegoi Kryeministri Edi Rama, gjatë një konferencë për lirinë e medias në nëntor të vitit 2017.

Sipas autoriteteteve qeveria po punon për të hartuar një nisëm ligjore në përmbushje dhe të detyrave të lëna nga Komisioni European, por ekspertët vërejnë se mbetet e paqartë se si do mund të kapërcehet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kjo çështje e shton edhe me tej problemet në fushën e financimit të medias në Shqipëri si dhe të pavarësisë së saj në dëm të lirisë së medias, raportimit dhe informacionit. / VOA

Skip to toolbar