Mero Baze: Në vend të mandateve, Presidenti duhet të numërojë ditët!

Presidenti Meta ka investuar për një kohë të gjatë, sidomos vitin e fundit, të mbajë nën tension qeverinë, duke paralajmëruar dorëheqje të tij. Sa herë që diçka nuk funksiononte, sa herë tejkalonte kompetencat e veta dhe bllokonte emërime ministrash, përfshi dhe krizën me zgjedhjet e fundit, dërgonte kasnecë tek Edi Rama, të cilët të “alarmuar”, përcillnin lajmin se Ilir Meta mund të dorëhiqet e të bëhet krizë.

Nuk është se u shqetësua njeri prej këtyre skenareve, por ishte një tregues, që Presidenti mendonte se ishte i rëndësishëm për kundërshtarët e tij.

Tani po shikojmë anën tjetër të medaljes. Presidenti Ilir Meta ka dhjetë ditë që jep e merr letra me KQZ-në, në fillim për të numëruar deputetët, pastaj për të treguar si i kanë dorëzuar mandatet, ata që ikën. Pra do të dijë a është e ligjshme ajo që ka bërë gruaja e tij dhe Lulzim Basha.

Paraktikisht e ka nxjerrë përfundimin. Ai mendon se ata kanë bërë diçka të paligjshme, por të drejtë. D.m.th, sipas tij, ata duhet të jenë edhe deputetë, kur i duhen atij, për të mos e shkarkuar si President, edhe deputetë me mandate të djegura, kur duhet të sulmojë qeverinë.

Dhe sot gjendemi para një skene qesharake, ku Presidenti po verifikon procedurën administrative, se si i kanë dorëzuar mandatet ish- deputet e opozitës, për të konstatuar, se nuk i kanë dorëzuar në rregull. Duhet të paraqiteshin një nga një në sallë dhe të thoshin me zë të lartë: “Nuk e duam mandatin”.

Kur ata i dorëzuan, kolektivisht në grup, me letra të bëra gati, nga gruaja e tij dhe Lulzim Basha dhe të diktuara po nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, për Presidentin ishte në rregull.

Atij i duhej që ata të iknin nga Parlamenti për të rrëzuar Ramën, por meqë nuk e rrëzuan, por e forcuan, pasi i çuan dhuratë nja 40 deputetë të tjerë, tani po përpiqet t’i rikthejë, duke na mbushur mendjen të gjithëve “se ishte më mirë kur ishim keq”. Pra, ishte më mirë kur ata ishin në Parlament.

E gjithë kjo përpiqet të mbajë gjallë shpresën e tij të vakët, se duke mos i quajtur të ligjshëm djegiet e mandateve, ai do të quajë të paligjshme dhe shkarkimin me vota të opozitës së re.

Pra kemi një President, që shkatërroi Parlamentin me shpresë të rrëzonte qeverinë, dhe po përfundon i shkarkuar nga ky Parlament.

Tentoi të shkatërrojë zgjedhjet, duke nxjerrë një dekret anulimi, dhe tani po rrëzohet përfundimisht nga ajo që prodhoi, duke i bojkotuar ato.

Dhe duke tentuar ta bëjë çdo gjë relative në këtë vend, edhe djegien e mandateve, edhe bojkotin, edhe zgjedhjet, shpreson se do ta fusë më në fund vendin në kaos, ku secili të mbrojë të drejtën e tij në rrugë primitive. Shumica, Parlamentin dhe zgjedhjet, ai ish- Parlamentin dhe bojkotin e zgjedhjeve.

Dhe e gjithë kjo, tani nuk bëhet më as për të shpëtuar opozitën, as për të shpëtuar nderin e Parlamentit, as për të shpëtuar zgjedhjet, por për të shpëtuar mandatin e tij të Presidentit.

Atë mandat me të cilin disa muaj më parë kërcënonte, se duke hequr dorë, do shkatërronte shumicën.

Tani po përpiqet të numërojë “mandate të paligjshme” për t’u mbrojtur nga shumica. Në fakt, më lehtë e ka të numërojë ditët.

Skip to toolbar