Mesfushori maqedonas largohet nga Laçi!

Mesfushori maqedonas, Bojan Najdenov, ka lajmëruar fundin e bashkëpunimit me Laçin. 27-vjeçari e ka lajmëruar largimin e tij nga klubi kurbinas me anë të një statusi në rrjetet sociale, ku tregon dhe arsyen e largimit. Najdenov bën me dije se divorci i tij me klubin vjen për shkak të një dëmtimi, teksa dhe kontrata e mesfushorit po shkon drejt përfundimit.

“Kështu, sezoni ka arritur në fund për mua. Sapo arrita formën time 100%, u godita nga një tjetër dëmtim. Së fundim kam pësuar një dëmtim të vogël që është edhe arsyeja pse do të jem jashtë fushës për pjesën e mbetur të sezonit, ndaj dhe kontrata ime me klubin është mbyllur përfundimisht”, shkruan maqedonasi.

“Dua të theksoj gjithashtu se qëndrimi im si një anëtar i ekipit të Laçit ka ardhur në fund. Dua të falënderoj secilin prej jush, tifozët dhe drejtuesit e klubit, veçanërisht presidentin Pashk Laska, për mbështetjen dhe besimin. Ndjehem me fat që kam qenë pjesë e kësaj aventure. Kemi kaluar kohë të bukura dhe të vështira, por do të kujtoj gjithmonë vetëm momentet e mira. Ju uroj fat për të ardhmen”, përfundon mesazhi i Najdenov.

Në këtë sezon Najdenov numëron 18 ndeshje të luajtura në 31 javë të kampionatit të Kategorisë Superiore, për një total prej 1148 minuta dhe vetëm një gol të shënuar.

Skip to toolbar