Meta në Strasburg takon “armiqtë” e 30 qershorit

Pas lajmeve se Presidenti kishte udhëtuar privatisht drejt Strasburgut për të lobuar pranë Komisionit të Venecias, presidenca reagoi duke sqaruar se presidenti ka shkuar në një vizitë zyrtare në Strasburg. Ndërkohë vetë presidenti ka bërë transparencë duke zbardhur arsyen e vizitës së tij në Strasburg dhe që lidhet me 30 qershorin, datën e zgjedhjeve që Meta e anuloi.

Në faqen e tij në facebook Meta njofton se në Strasburg është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Andreas Kiefer me të cilin ka diskutuar për qeverisjen vendore dhe situatën e krijuar në Shqipëri pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Meta bën të ditur se i ka kërkuar Kiefer që të asistojë Shqipërinë duke sjellë në Tiranë një mision me ekspertë të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE.

“Takim konstruktiv në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, z.Andreas Kiefer. Shkëmbyem mendime të vlefshme për mbështetjen që Kongresi mund të japë në kapërcimin e krizës së qeverisjes vendore në Shqipëri pas 30 qershorit, në përmbushjen e standardeve demokratike që vendet anëtare të këtij institucioni, sikundër është vendi ynë, janë të obliguar të respektojnë dhe për ndërmarrjen e hapave konkretë nga ana e Kongresit në këto drejtime. U dakordësuam për domosdoshmërinë e një misioni të Kongresit në Shqipëri në një kohë sa më të afërt. Demokracia në radhë të parë është vendore”, shkruan Meta.

Presidenti anuloi datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Por pavarësisht vendimit të tij zgjedhjet u zhvilluan dhe pushteti vendor u ndryshua tërësisht në zbatim të kushtetutës. Por këtë proces Meta e cilëson si “krizë të pushtetit vendor” ndaj dhe për të mbështetur qëndrimin e tij ai kërkon “aleatë” tek Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE. Nuk dihet se sa do i shërbejë kjo aleancë tek vendimi që Komisioni i Venecias do të marrë për shkeljet e tij kushtetuese që më pas do të përbëjnë bazën për vendimin e Komisionit Hetimor parlamentar për shkarkimin e tij./realstory.al

Skip to toolbar