Spartak Ngjela: Meta do të thellojë krizën, të shkarkohet e të…pijë birrë!

Avokat Spartak Ngjela ka reaguar pas firmosje së dekretimit të dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Sipas Ngjelës, lëvizja e Metës është për të thelluar më tej krizën politike, duke shpëtuar veten, berishën dhe bashën duke e çuar vendin në anarki. “Kjo është krizë anarkike. Ky është qëllimi i këtij presidenti, që duhet të rrëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Data 30 qershor ka këtë pyetje: me kë jeni, me shtetin apo më anarkinë. Ilir Meta, Berisha dhe Basha duan anarkinë, që të shkatërrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe të shpëtojnë pronat, paratë e grabitura në mbi 20 vjet, si dhe t’i shpëtojnë ndëshkimit penal”, shkruan Ngjela.

Më tej, Spartak Ngjela ngre disa pyetje, të cilat i drejtohen presidentit. Sipas Ngjelës, a ka siguri Meta që palët do të ulen në tryezën e dialogut, apo në rastin tjetër, sikur palët të mos pajtohen kurrë. “Ja kriza që dëshiron të krijojë Ilir Meta duke anulluar ditën e zgjedhjeve, por pa caktuar një ditë tjetër.  Ky është shkatërrim i paramenduar i sistemit politik në Shqipëri. Ku e gjen Presidenti sigurinë se palët do të ulen për të gjetur një datë tjetër zgjedhjeje? Po sikur palët të mos pajtohen kurrë, çfarë ndodh? Nëse palët nuk ulen, dhe nuk do të ulen, nuk do të ketë kurrë më zgjedhje në Shqipëri?”, shkruan Ngjela.

Duke u shprehur se KQZ nuk duhet të pranojë një akt administrativ të pavlefshëm, Ngjela shkruan se tashmë Presidenti Ilir Meta duhet të shkarkohet, dhe të vendoset gjendja e jashtëzakonshme. “Duhet të fillojë urgjentisht me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Pas kësaj ai nuk ka më forcë juridike. Le të presë Gjykatën Kushtetuese e të pijë birrë. Nuk ka rrugë tjetër.  Duhet parë edhe vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme është e vetmja kurë kundër anarkisë”, thotë ndër të tjera Spartak Ngjela.

Skip to toolbar