Exclusive/Raporti i plotë i Ligjeve: Meta mori pushtet ekzekutiv, dekreti, antikushtetues

Realstory.al ka siguruar raportin e plotë që Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi në mbledhjen e së mërkurës përmes të cilit kërkon shkarkimin e Presidentit Meta.

Raporti fillimisht i referohet vendimit të KQZ që e cilësoi nul vendimin e Metës për të anuluar zgjedhjet dhe vendosi me vijimin e procesit zgjedhor.

 “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për organizimin, administrimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nuk e mori në konsideratë për zbatim dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe vijoi me procesin zgjedhor duke arsyetuar se ky akt i presidentit është absolutisht i pavlefshëm, pasi ka dalë në kapërcim të kompetencave të presidentit dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë. Sipas nenit 94 të Kushtetutës, presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre të njohura shprehimisht në Kushtetutë dhe ligj. Akti që del në mungesë të kompetencës konsiderohet që nuk ka ekzistuar asnjëherë”, shkruhet në raport.

Më pas theksohet rezoluta e miratuar me 100 vota në kuvend që mbështet KQZ në vijimin e punës për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës së miratuar mbi aktin e presidentit, bazuar në përgjegjësinë që i ngarkon kushtetuta në nenin 1 të saj ku shprehimisht thuhet se Shqkpëria është republikë parlamentare, duke mbajtur parasysh rolin dhe kompetencat e presidentit në një republikë parlamentare, mbështet qëndrimin e KQZ për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimsinë e procesit zgjedhor të datës 30 qershor”, shkruhet në raport.

Deputetët e komisionit të Ligjeve më pas rendisin arsyet se pse duhet shkarkuar presidenti Meta.

“Duke anuluar datën e zgjedhjeve, presidenti ka kryer shkelje të rëndë të kushtetutës. Ai ka cenuar parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit. Ka shkelur kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe kuvendit. Është sjellë arbitrarisht me pushtetin si pushtet ekzekutiv i pakufizuar përkundër natyrës së republikës parlamentare. Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve. Ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverie e dalë nga zgjedhje të lira. Ka nxjerrë një akt në kundërshtim flagrant me ligjet. Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, shkruhet në raport.

Në përfundim Komisioni i Ligjeve i propozon Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor për të shkarkuar presidentin në përmbushje të procedurave parlamentare. Raporti do të kalojë për miratim në datën 4 korrik në seancë parlamentare./Realstory.al

Skip to toolbar