Sekretari Amerikan i Shtetit Michael Pompeo shprehu ngushëllimet për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Pompeo shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i qëndrojnë në krah miqve në Shqipëri.
“Ndërsa Shqipëria përkujton solemnisht Ditën e saj të Pavarësisë, ne përcjellim ngushëllimet tona më të thella për ata që humbën jetën në tërmetin e kësaj jave. Sot, lutjet tona shkojnë për familjet e tyre, si dhe për njerëzit e plagosur. Në emër të popullit amerikan, ne ju urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Edhe tani, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të miqve tanë në Shqipëri”, shkruan Pompeo.
Më tej, deklarata e Sekretarit Pompeo ka nota politike, duke shprehur mbështetjen ndaj Shqipërisë për arritjen e aspiratës europiane. Ndërsa SHBA, thotë Michael Pompeo, përshëndet reformat e Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme për të përmbushur këtë mision.
“Prej rënies së komunizmit tridhjetë vjet më parë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet gjithnjë e më të fortë. Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe përgëzojnë vendosmërinë e Shqipërisë në arritjen e këtij qëllimi. Ne përshëndesim përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë reformat që synojnë forcimin e një sistemi drejtësie të pavarur”, thuhet në deklaratën e Pompeo.
Në fund, SHBA vlerëson kontributin e Shqipërisë në NATO, ndërsa thekson se ajo qëndron si një shtyllë e qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti. “Ne vlerësojmë thellësisht kontributet pozitive të Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpresim udhëheqjen e Shqipërisë si Presidente e OSBE-së për vitin 2020. Miqësia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë qëndron si një shtyllë e qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti, dhe ne mirëpresim akoma edhe më shumë vite miqësie dhe bashkëpunimi”, shprehet Pompeo.