Socialistët janë shprehur në një mendje në
lidhje me emrin që do të zëvendësojë Arben Ahmetaj në krye të Komisionit të
Ekonomisë, pas emërimit të tij si ministër i Rindërtimit.
Në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, e
zhvilluar para nisjes së seancës së Kuvendit për sesionin e ri parlamentar 2020,
është propozuar emri i deputetes Milva Ekonomi si kryetare e Komisionit të
Ekonomisë. Propozimi me emrin e Milva Ekonomit pritet të votohet në seancën e
Kuvendit.
Gjithashtu në mbledhjen e PS-së është diskutuar
edhe në lidhje me kreun e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ku Grupi Parlamentar
Socialist pritet të mbështesë kandidaturën e Artut Metanit, i cili është
renditur i pari në listën e propozuar prej 5 kandidatësh nga KED.
Një grup studentësh kanë njoftuar se do të zhvillojnë sërish
protesta, por deputetja e PS-së, Milva Ekonomi thotë se ata nuk janë studentë
por militantë partish. Në një intervistë për ABC news, Ekonomi tha se janë bërë
verifikimet dhe nuk ka studentë që do të ngrihen në protesta, por e gjithë kjo është
nxitje e partive të opozitës.
“Prononcimi për një protestë vjen nga disa studentë që
vetëquhen studentë, por që kanë dy qasje: E para, tregon se janë studentë që
janë në senat ose në këshillin studentor dhe në fakt në këto dy organe nuk mund
të jenë figura që vijnë nga studentë që janë gjithashtu figura që rrjedhin nga
partitë politike. Ne kemi disa emra që janë bërë të ditur nga Fakulteti i
Shkencave të Natyrës ku janë dy studentë që janë të angazhuar politikisht pranë
PD-së, që janë gjithashtu të ulur në senat dhe në Këshillin Studentor, që kanë
një kontradiktë të pastër me atë që kërkon statusi i universitetit.
Nga ana tjetër, janë dhe dy studentë për të cilët është bërë
verifikimi, ku njëra vjen nga Fakulteti Ekonomik dhe tregon që nuk ka marrë
bursën dhe në fakt ajo nuk është fare studente e Fakultetit Ekonomik, por është
anëtare e LSI-së. Dhe një student tjetër që tregon se është nga Fakulteti i
Historisë e Filologjisë, i cili në fakt tregon që nuk ka përfituar bursën, por
në të vërtetë nuk është përfitues burse. Këto vijnë si informacione nga bordet
e administrimit. Derisa ne marrim këtë informacion tregon se funksionon bordi i
administrimit”, u shpreh Ekonomi ndërsa shtoi se “Pakti për Universitetin”
është jetësuar dhe po merr formën e plotë.