Nuk ka asgjë të vërtetë lidhur me kërcënimin e jetës së Lulzim Bashës. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një prononcim për A2 CNN .
Lleshaj mohon kategorikisht që të jetë takuar me truprojën e Bashës, njëherësh pjesëtar i Gardës së Republikës, si dhe faktin që ka pasur informacione se kreut të PD i rrezikohet siguria.
“Nuk ka asgjë të vërtetë, ky është një lajm i sajuar nga Partia Demokratike”, thotë Lleshaj.
“Nuk kam asnjë informacion për kërcënime ndaj zotit Basha. Duhet të pyesni Partinë Demokratike për lajme që sajon Partia Demokratike. PD po tenton të prodhojë lajm, në kushte pamundësie për të prodhuar lajm sot, ka lajme të tjera sot”, u shpreh ai.
Më herët gjatë ditës, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, bëri të ditur se i kishte dërguar një letër Lleshajt për t’i kërkuar shpjegime mbi pretendimet e këtij të fundit se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është në rrezik.
Sipas Bardhit, Lleshaj është takuar në datë 14 qershor me Feim Dollapajn, punonjës të Gardës së Republikës, me detyrë truprojë i Bashës, të cilit i ka komunikuar se ka “informacione të tërthorta dhe të besueshme se ai është në rrezik.
Bardhi e quan këtë takim si një përpjekje për shantazh që i bëhet kreut të opozitës dhe i kërkon ministrit të Brendshëm që të bëjë publike informacionet që ai ka në lidhje me rrezikun që i kanoset kreut të PD.
Pas akuzave të PD-së, menjëherë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thirri në takim kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar, Helidon Bendo, por edhe komandantin e Gardës së Republikës, Gramos Sako.
Por sipas ministrit të Brendshëm, asgjë nuk është e vërtetë.