De Ligt bëhet çështje për Barcelonën, Juventus gati të përfitojë

Transferimi i kapitenit të Ajax-it, Matthijs De Ligt drejt Barcelonës po kthehet në çështje. Në fakt, prej kohësh palët (Barcelona dhe Ajax) dukeshin se kishin arritur marrëveshje, ashtu sikundër ka ndodhur edhe me De Jong. Mirëpo, sezoni i shkëlqyer që ka bërë 19-vjeçari me ekipin holandez, ka bërë që të rriten pretendimet financiare nga lojtari dhe agjenti i tij Mino Rajola.

Në fakt, ky i fundit, duket se është bërë dhe shkaku kryesor i mos pasjes së një marrëveshje deri më tani. Rajola kërkon të përfitojë një shumë të konsiderueshme nga transferimi i lojtarit drejt një klubi tjetër. Ndaj, mediat katalanase, konkretisht gazeta Sport, ka shkruar sot se Barcelona mund të tërhiqet nga tratativa për të bindur De Ligt.

Kështu, Manchester United mund të rikthehet në skenë për të përfituar nga kjo lëvizje e Barcelonës, duke i ofruar lojtarit të Ajax pagën e kërkuar me rreth 14 milionë euro në vit. Por në Itali mediat shkruajnë se Juventus është gati të futet në garë për De Ligt, duke ofruar përmbushjen e kërkesave të agjentit dhe lojtarit.

Megjithatë, mbrojtësi ka deklaruar se do t`i pëlqente të luante me shokun e tij të skuadrës De Jong, i cili do të bashkohet me Barcelonës sipas një marrëveshje të arritur më herët.

De Ligt te Barcelona për 70 mln euro, Rajola pengon transferimin!

Mediat spanjolle raportojnë se Matthijs De Ligt është pranë arritjes së marrëveshjes me Barcelonën, teksa sipas “Marca-s”, klubi katalanas ka gjetur akordin me Ajax për transferimin e talentit, që pritet të kryhet për një shumë prej 70 milionë eurosh.

Duket se gjithçka është në rrugën e duhur, por problemi i vetëm në këtë marrëveshje është agjenti i De Ligt, Mino Rajola. Sipas “Marca-s”, Rajola kërkon një komision prej 20 % të vlerës së transferimit për mbrojtësin holandez.

Përkthyer në shifra financiare, kjo vlerë shkon në 14 milionë euro, çka do të ishte një shumë e ekzagjeruar për tregun e transferimeve. Zakonisht agjentët përfitojnë nga 5 deri në 10% të shumës së transferimit të lojtarit, por Rajola kërkon të shfrytëzojë rastin, duke penguar transferimin e De Ligt drejt Barcelonës. Agjenti “famëkeq” është duke pritur oferta nga klube të tjera për të përfituar sa më shumë.

Klubi holandez shpreson të mbyllë këtë marrëveshje shpejt në mënyrë që të riinvestojë në skuadrën e tyre aktuale për sezonin e ardhshëm. “Unë mendoj se këto do të jenë ndeshjet e fundit të De Ligt me Ajax”, tha shefi ekzekutiv i klubit, Edwin Van der Sar, pas ndeshjes me Tottenham. “Unë mendoj se ai do të shkojë në Angli apo Spanjë.”

Skip to toolbar