Mish i pasigurt, AKU gjoba dhe mbyllje biznesi për tre subjekte

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar këtë të shtunë se ka bërë bllokimin e disa dhjetra kilogramëve mish i pasigurt për konsumatorët. Sipas një komunikate për mediat, AKU njofton se ka gjobitur tre subjekte me një gjobë në vlerë totale prej 1.1 milion lekësh, ndërsa është ndërprerë aktiviteti i dy subjekteve. Konkretisht, AKU njofton se subjekti Llazar Vezuli me aktivitet njësi tregtimi në Leskovik, ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Ky subjekt kishte mungesë librezash shëndetësore të punonjësve. Ndaj, për shkeljet e gjetura, ky subjekt është gjobitur me 300 mijë lekë, duke i ndërprerë në mënyrë të menjëhershme aktivitetin.

Ndërkohë, në fshatin Sotirë të Korçës, subjekti Jeton Hida, kishte ngritur një aktivitet kampingu. Gjatë inspektimit nga AKU, në aktivitetin e këtij shtetasi u gjetën shkelje të kushteve higjeno-sanitare në kuzhinë dhe në dhomat frigoriferike.

Në këtë aktivitet është bërë bllokimi i 21 kg salcë dhe produkte mishi pa vulë, është sekuestruar një sasi prej 20 kg mish qingji, 34 kg mish lope, 38 kg mish derri dhe 34 kg të brendshme lope. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative me gjobë në vlerën e 500 mijë lekëve, ndërsa është sekuestruar në total 147 kg mish i pasigur që do të asgjësohet.

Ndërkohë, subjekti Ermir Çollaku me aktivitet “Piceri” në Pogradec, ushtronte aktivitetin në kushte higjeno-sanitare të papërshtatshme, mjete dhe pajisje të amortizuara, të papastruara dhe të pahigjienizuara, prani papastërtish në ambientin e kuzhinës, muret e dyshemeja të papastra, mungesë çertifikate dhe prani insektesh në rafte dhe në tavolinën e punës. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të gjobës me vlerë prej 300 mijë lekësh dhe ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit.

Skip to toolbar