Dorëheqja e Haradinaj, SHBA: Po monitorojmë situatën

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha në një postim në rrjetet sociale se mënyra se si do ta trajtojnë situatën pas dorëheqjes së kryeministrit do të dëshmojë fuqinë e institucioneve të Kosovës.

“Po e ndjekim nga afër si po përballet Kosovë për herë të parë me dorëheqjen e kryeministrit. Mënyra se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje do të dëshmojë fuqinë e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet”, thuhet në postim.

Ramush Haradinaj paraqiti të premten e kaluar dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i kryeministrit pasi mori thirrje për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, e cila është pjesë e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Të mërkurën ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve në Hagë, duke shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje. Dorëheqja e tij krijoi një situatë të re në Kosovë dhe vendi ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme, meqë të gjitha partitë politike janë shprehur në favor të tyre.

Për javën që vjen, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar fillimin e këshillimeve më partitë politike për veprimet e mëtejme. /VOA/

Skip to toolbar