Vetëm pak pas njoftimit në Facebook të Valdrin Pjetrit, që njoftonte se jepte dorëheqjen nga marrja e detyrës si kryetar i Bashkisë Shkodër, ka reaguar kryetarja e grupit parlamentar të deputetëve të djathtë, Rudina Hajdari. Në një reagim në rrjetet sociale, Hajdari shprehet se “faji nuk është i individit, por i drejtuesve partiakë që i promovojnë në pozicione të larta drejtuese”. “Çështja e Valdrin Pjetrit vërteton për të disatën herë se sa i korruptuar dhe i dështuar është sistemi ynë politik. Një individ me të kaluar kriminale vendoset si përfaqësues i Partisë Socialiste për të marrë postin e Kryetarit të Bashkisë në qytetin e Shkodrës. Problemi nuk qëndron tek individi, sa tek liderat partiakë që promovojnë figura të pista në pozicione të larta drejtuese apo sistemi i kalbur politik që lejon pseudo-liderat partiakë të tallen me qytetarët shqiptarë”, shkruan Rudina Hajdari.
Sipas saj, problemi më shqetësues në vend është mungesa e alternativës për qytetarët, një figure politike që t`i besojnë, pasi sipas Rudina Hajdarit, qytetarët kanë krijuar mendimin se “të gjithë janë njësoj”. “Ajo që është akoma dhe më shqetësuese është se nuk ekziston një alternativë për qytetarët, një figurë politike që t’i besojnë, pasi fatkeqësisht u është mbushur mendja se të gjithë janë njësoj. Kanë humbur besimin tek kjo kastë politike që sheh vetëm interesin personal, duke e lënë në harresë interesin publik. Qytetarët shqiptarë janë të distancuar komplet dhe nuk reagojnë edhe kur ndodhin ngjarje të tilla absolutisht të papranueshme, për një vend që aspiron futjen në BE, pasi u ka vdekur shpresa”.
Në përfundim të komentit të saj, Rudina Hajdari shprehet se opozita parlamentare do të vijojë luftën kundër sistemit. Ajo thotë se opozita do të kërkojë Reformën Zgjedhore, në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi të përfaqëzohen nga individë me figurë të pastër. “E vetmja zgjidhje është ndryshimi i këtij sistemi politik e zgjedhor që po fundos Shqipërinë përditë e më shumë. Opozita Parlamentare do të vijojë luftën kundër këtij sistemi akoma dhe më e vendosur me Reformën Zgjedhore, në mënyrë që shqiptarëve t’u jepet mundësia të jenë të përfaqësuar nga individë me figurë të pastër, si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana etike”, përfundon Rudina Hajdari.