VOA: Petrit Vasilit i është refuzuar viza në SHBA

Gjatë intervistës me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila ndodhet për një vizitë pune në SHBA, Zëri i Amerikës zbuloi se Petrit Vasilit i është refuzuar viza nga autoritetet amerikane.

Sipas informacioneve të VOA autoritetet diplomatike amerikane i kanë refuzuar vizën zotit Vasili, ndërsa Kryemadhi tha se nuk beson se kjo është e vërtetë, por se “nuk e ve dorën në zjarr për askënd”.

Ky informacion i VOA vjen pas qëndrimeve të ashpra të opozitës shqiptare ndaj institucioneve, të cilat kulmuan më djegien e mandateve parlamentare dhe organizimin e protestave të dhunshme në Tiranë. Refuzimi i vizës së zotit Vasili shihet si një sinjal i qartë i mosaprovimit të linjës opozitare nga ana e Uashingtonit, që ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit.

Gazetarja: Znj. Kryemadhi në Kosovë dhe në vendin tuaj ambasada Amerikane po përdor mosdhënien e vizave si një masë ndëshkimore për zyrtarë të korruptuar. Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar se ka rreth 170 politikanë shqiptar që i janë refuzuar vizat, është prekur LSI-ja nga kjo?

Kryemadhi: Nuk di të kem ndonjë informacion, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ambasadën Amerikane për çdo politikanë të korruptuar dhe për pjesëtarët e LSI-së që është pjesë e kësaj liste dhe mendoj që është një nga gjërat më të mira, ne e kërkuam dhe Vetting-un në politikë, ku ne si LSI kemi ngritur komisione Vetting-ut brenda në parti, mendoj që politika shqiptare duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e errët e çdo kandidati.

Gazetarja: Sipas burimeve tona, nënkryetari i LSI-së Z. Petrit Vasili është refuzuar viza, mund ta konfirmoni ju këtë gjë?

Kryemadhi: Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza, z. Vasili, sepse në qoftë se ka njeri më me pa probleme është z. Vasili, megjithatë unë nuk e vendos dorën në zjarr as për fëmijët e mi dhe as për bashkëshortin tim. Ajo që dua të them është që në çdo rast, çdo ndarje e informacionit në raste të tilla me ambasadën amerikane dhe me LSI-në ne do të jemi të gatshëm, por mos harrojmë vetëm një gjë që z. Vasili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë me z. Lu për sa i përket Reformës në Drejtësi dhe ka qenë një nga njerëzit, i cili ka nxitur dhe ka realizuar përfundimin e komisionit AD-HOC të Reformës në Drejtësi në Shqipëri

Skip to toolbar