Veliaj: Do shembet çdo objekt pa leje. Mos kujtoni se jam në fushatë e s’e kam mendjen

Pavarësisht se javën e ardhshme nis zyrtarisht fushatën zgjedhore, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë se do ta ketë gjithmonë vëmendjen dhe se nuk do të tolerojë ndërtime pa leje.

Duke komentuar aksionin e djeshëm të policisë Bashkiake, në zonën e Selvisë në kryeqytet, Veliaj e ka cilësuar si të papranushme ndërtimin e objekteve pranë monumenteve kulturore, dhe ka thënë se do të shemben të gjitha ndërtimet pa leje.

 “Nuk ka asnjë sekret, kemi marrë një angazhim publik: nuk mundet që Vojo Kushi të ketë dhënë jetën mbi tank, kurse ne bëjmë një lokal mbi Vojo Kushin, si ai mbi tank. Po ta dinte Vojo Kushi se po e jepte jetën për këto lloj sjellje, do e kishte menduar dy herë hedhjen mbi tank. Le të bëhemi njerëz seriozë: kush ndërton mbi monumente kulture, kush ndërton mbi lapidarë, kush ndërton mbi vende që kujtojnë dhe përkujtojnë figura të historisë tonë, do të duhet t’i bëjë llogaritë mirë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se fakti që vendi është periudhë elektorale, kjo nuk do të thotë se do krijohen lehtësira për krijimin e objekteve pa leje, përkundrazi do të jenë akoma më të ashpër. Sipas tij, ky është një tregues që do të vërtetojë se nuk bëhen kompromise me ligjin apo kundrejt votave.

“Nëse dikush mendon se meqë unë javën tjetër filloj fushatën nuk do e kem mendjen tek ndërtimet pa leje në qytet, gabohet shumë rëndë. Do të jemi akoma më të ashpër në fushatë, për të treguar se nuk bëjmë kompromis me asnjë votë për një të babëzitur, për një grykës. Mund të jetë ish-deputet, mund të jetë njeri me pushtet, mund të jetë laci i lagjes, mund të jetë një i fortë, mund të jetë një gangster, nuk më intereson hiç! Fushatës do t’i kushtoj të gjithë vëmendjen e rëndësishme, por nuk do lë mangët asnjë gjë të qytetit. Po kush mendon se muaji i fushatës është muaji i rrumpallës dhe për një grusht votash unë do të toleroj dikë që kërkon t’i hipë Vojo Kushit sipër, si ai tankut, e ka shumë gabim”, deklaroi Veliaj.

Ndaj, ai nënvizoi se ashtu si objektet pa leje të ndërtuara mbi monumentin e Vojo Kushit në Rrugën e “Dibrës”, Bashkia e Tiranës do të veprojë edhe me çdo ndërtim tjetër pa leje apo që është ndërtuar në kundërshtim me çdo normë qytetare mbi objekte historike apo monumente të kujtesës.

“Njësoj si te Selvia do ta pësojnë të gjithë ata që guxojnë të përdorin situatën e fushatës si moment ku mendojnë se bashkia nuk e ka mendjen dhe mund të bëjmë ndërtime pa leje. Do ta pësojnë jo vetëm ndërtimet pa leje, por mbi çdo gjë që është ndërtuar në ndërtim pa leje, edhe gjërat që ka poshtë. T’i vënë mendjen kokës dhe mos mendojnë se nuk do kemi mendjen në menaxhimin e qytetit gjatë 30 ditëve të fushatës”, u shpreh Veliaj.

Skip to toolbar