Katari dhuron 8 kamionë me ndihma për të prekurit nga tërmeti në Tiranë

Ambasada e Katarit në Tiranë dhuroi të dielën 8 kamionë me ndihma për familjet e prekura nga tërmeti në kryeqytet. Ndihmat e Katarit janë dorëzuar në qendrën e emergjencave në Tiranë. I pranishëm gjatë dorëzimit të ndihmave, ishte kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe ambasadori i Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri.

“I jam shumë falenderues dhe shumë mirënjohës vëllait, mikut tonë ambasadorit të Katarit, por edhe të gjithë popullit të Katarit, që si në çdo fatkeqësi na është gjendur i pari. Ndaj, e vlerësoj jashtë mase gjithë këtë kontribut. Sot kemi akomoduar në qendrat e emergjencës një pjesë të madhe të popullsisë në fshat, megjithatë me ketë aksion të sotëm, ne kalojmë nga qendrat e emergjencës tek ndihma që shkon në çdo shtëpi”, tha Veliaj gjatë fjalës së tij.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se familjet e prekura nga tërmeti në qytet kanë nisur sistemimin në shtëpi me qira, ndërsa paralelisht po punohet për të lehtësuar kushtet edhe për familjet e prekura nga tërmeti që jetojnë në zonat rurale. “Këtë fundjavë, popullsia urbane nuk do të ketë më nevojë që të qëndrojë nëpër palestra, nëpër mensa sociale apo nëpër qendra të ndryshme të emergjencave. Secili ka marrë bonusin e qirasë dhe është akomoduar diku në qytetin e Tiranës, një pjesë të madhe kemi pasur mundësi edhe t’i vizitojmë. Tani që pjesa urbane e ka mbyllur fazën e emergjencës, do ta mbyllim fazën e emergjencës edhe në pjesën rurale”, tha ai.

Duke vlerësuar miqësinë vëllazërore mes dy popujve, ambasadori i Katarit në Shqipëri, Ali Bin Hamad Al-Mari siguroi kryebashkiakun Veliaj se mbështetja do të vijojë edhe në ditët në vijim. “Edhe njëherë ngushëllojmë qeverinë dhe popullin mik shqiptar dhe ju urojmë shërim të shpejtë të plagosurve nga tërmeti. Fondi i Katarit për Zhvillim në koordinim me Qendrën e Katarit për bamirësi, kanë direktiva të prera që nga dita e parë që të shpërndahen në çdo zonë të prekur nga ky tërmet dhe të jenë prezent. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe me funksionarë duke përfshirë dhe kryetarin, dhe të shikojmë se për çfarë kanë nevojë. Ne nuk do të ndalojmë. Ka akoma ndihma të tjera që do të vijnë më tutje. Dua t’ju siguroj kryetar që shteti i Katarit ka qenë dhe do të jetë pranë jush në çdo moment”, tha ambasadori Ali Bin Hamad Al-Mari.

Azerbajxhani dhuron 500 mijë euro për Shqipërinë

Azerbajxhani është një tjetër shtet që solidarizohet duke ofruar ndihma financiare për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, Azerbajxhani ka lëshuar një urdhër “Për shpërndarjen e burimeve Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Azerbajxhanit me qëllim ofrimin e ndihmës humanitare për njerëzit që kanë vuajtur nga fatkeqësia natyrore që ndodhi në Republikën e Shqipërisë”, raporton ONA.

Shuma që ofron Azerbajxhani për Shqipërinë është 500 mijë euro. Ky fond, që do të gjenerohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit të Azerbajxhanit, do të jepet për Shqipërinë nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shtetit. Në lajmin e publikuar nga agjencia e lajmeve ONA në Azerbajxhan, thuhet se 50 persona vdiqën nga tërmeti me madhësi 6.4 ndodhur në Shqipëri. Një numër i konsiderueshëm njerëzisht ndodhen nën rrënoja, ndërsa punimet e kërkimit dhe shpëtimit vijojnë.

Ndërkohë, Azerbajxhani bëhet shteti i radhës që ofron ndihma financiare për Shqipërinë, për të përballuar gjendjen e emergjencës së krijuar pas rënies së tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit. Shumë vende të tjera janë treguar të gatshme për të ofruar ndihma financiare në shumë të konsiderueshme, që do të përdoren për rindërtimin e shtëpive të personave që mbetën pa çati për shkak të tërmetit.

Tërmeti, Maqedonia jep 100 mijë euro për Shqipërinë

Vendet fqinje të Shqipërisë janë solidarizuar pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter. Maqedonia do ndihmojë Shqipërinë me 100 mijë euro si dhe ka dërguar 30 ekipe profesionale që do të ndihmojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe dhënien e ndihmës së parë për qytetarët.

Më herët edhe qeveria e Kosovës akordoi një shumë prej 500 mijë euro për të ndihmuar qytetarët shqiptarë pas tragjedisë së tërmetit.

Tërmeti i fortë që shkundi Shqipërinë ka sjellë solidarizimin edhe të partnerëve ndërkombëtarë si SHBA, BE, Gjermania, Franca, Italia apo Greqia, duke dërguar ndihma dhe ekipe me mjete të posaçme për të ndihmuar qytetarët shqiptarë.

Olta Xhaçka hedh firmën, ja ndihma që do na vijë nga SHBA

Forca Ajrore shqiptare do të modernizohet më tej falë mbështetjes së Departamentin Amerikan të Mbrojtjes. Gjatë qëndrimit në SHBA, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vizitoi Gardën Kombëtare të Nju Xhersit në Bazën e Përbashkët McGuire-Dix-Lakehurst, ku u prit nga komandanti i saj, gjeneral brigade Jemal J. Beale. Gjatë kësaj vizite u finalizua marrëveshja dypalëshe mes Departamentin Amerikan të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për marrjen e disa helikopterëve të tipit “Black Haëk”. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e vlerësoi këtë si një ndihmë të jashtëzakonshme që i jepet Shqipërisë.

“Mbështetja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë përmes paketës të suportit, jo vetëm modernizon kapacitetet tona por rrit edhe gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës tonë Ajrore”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Këtë verë, pilotët dhe teknikët e Forcës Ajrore shqiptare do të nisin trajnimin e për përdorimin e helikopterëve “Black Haëk” në Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, e cila do të kujdeset gjithashtu, edhe për mirëmbajtjen e këtyre mjeteve fluturuese.

Programi i Partneritetit Shtetëror të Gardës Kombëtare është një program i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, i menaxhuar nga Garda Kombëtare që lidh Shtetet e Bashkuara me vendet partnere me qëllim mbështetjen e objektivave të bashkëpunimit të sigurisë.

Skip to toolbar