Meta mesazh për Nënë Terezën, i rikthehet “dashurisë”

Presidenti Ilir Meta, me rastin e 109 vjetorit të lindjes së Shenjtores Nënë Tereza, ka dhënë një mesazh për politikën shqiptare ku thekson se duhet më shumë dashuri e përkushtim për të zhvilluar Shqipërinë, të rritet solidariteti me shembuj të përkushtimit dhe porositë e Nënë Terezës të shërbejnë për të bërë gjithçka që është e nevojshme!

Në 109-vjetorin e lindjes së Shenjtores Nënë Tereza, simbolit shqiptar dhe botëror të humanizmit e solidaritetit njerëzor dhe shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë e përkujdesjes të çdo nëne shqiptare, ne përkujtojmë me nderim e respekt trashëgiminë e vyer të veprës së Saj humane e hyjnore të paharruar. Urtësia dhe porositë e Shën Terezës le të na shërbejnë si burim frymëzimi, që të gjithë së bashku, me shumë dashuri e përkushtim të bëjmë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, për prosperitetin e begatinë e Shqipërisë dhe të kombit tonë!”, shkruan Meta në Facebook.

Në këtë mënyrë Meta i është rikthyer sërish shprehjes së tij të famshme, “me qetësi dhe dashuri”, ku prej kohësh mbizotëronte vetëm “qetësia” dhe aspak dashuria, por sulmet e ashpra kundrejt qeverisë dhe ndërkombëtarëve. Duket se Meta ka bërë një kthesë në qëndrimin e tij duke e futur sërish “dashurinë” në rrugën e mendimit të tij në mënyrë që të gjej një zgjidhje për Shqipërinë, e cila prej muajsh ndodhet në një krizë politike, të cilën Meta e thelloi edhe më shumë.

Meta prej kohësh i ka kthyer sytë nga qielli për zgjidhjen e kësaj krize, pasi dështoi të ulë palët në një dialog politik dhe sigurisht i largoi edhe më shumë ndërkombëtarët, të cilët ja lanë në dorë politikës shqiptare zgjidhjen e saj. Disa ditë më parë, nga Mali i Tomorrit, Meta sërish përmes një lutje, kërkoi për Shqipërinë dhe shqiptarët një zgjidhje për situatën në vend. “Abaz Aliu të na japë forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, siç e meritojnë të gjithë shqiptarët e sidomos të rinjtë e të rejat!”, tha presidenti Meta.

Meta tashmë është bindur se ai nuk mund të bëhet dot një faktor ndërmjetësimi në zgjidhjen e krizës në vend, pasi kjo është refuzuar qartë nga Edi Rama, por edhe Luzlim Basha.  

Skip to toolbar