Pas deklaratave të Mathew Palmer “se PD-LSI do të ndërpresin marrëdhëniet me SHBA-në nëse pengojnë zgjedhjet”, Lulzim Basha ka folur në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së premtes. Ndonëse nuk tha asnjë fjalë për deklaratat e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, ndër rreshta, Basha la të kuptohet se në çfarë situate është PD aktualisht. Pavarësisht, se deklarata e tij ishte kundër Edi Ramës, kreu i opozitës u shpreh se “Mungesa e reflektimit ka qenë një mallkim shoqëror për ne si shoqëri. Ne, rrallë, kemi reflektuar pas të këqijave, prandaj i kemi përsëritur ato”.
Këtë shprehje, ku padyshim futet dhe ai vetë, pavarësisht se flet kundër Qeverisë dhe i drejtohet asaj, e vuri në dukje më tej gjatë fjalimit të tij, kur u shpreh se se politika shqiptare ka pasur arritje dhe dështime, që sipas Bashës, do të jetë historia që nuk do ti heqë as përgjegësitë e as meritat askujt. “Politika shqiptare ka patur mjaft arritje këto tre dekada, por ajo ka patur edhe dështime spektakolare. Ajo ka prodhuar edhe mjaft të këqija. Ka shumë nga ata që i kanë bërë keq këtij vendi. Historia nuk do t’ua heqë as përgjegjësitë, as meritat askujt. Por në të gjithë këtë mori dështimesh e politikanësh të këqij, Edi Rama është monumenti më i lartë, mishërimi i çdo të keqeje që politika dhe shoqëria jonë ka prodhuar këto tre dekada”.
Gjatë deklaratës së tij, Lulzim Basha nuk foli asnjë fjalë për deklarata e Mathew Palmer, as komenti deklratat “on-blok” të ambasadave të vendeve të BE, Delegacionit të BE në Shqipëri, dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar, të cilët gjatë së premtes i kanë përsëritur, ndoshta për herë të fundit para 30 qershorit, se opozita duhet të distancohet nga aktet e dhunshme gjatë zgjedhjeve, pasi do të mbajë përgjegjësi. Megjithatë, duket se Basha, u ka dhënë një përgjigje indirekte ndërkombëtarëve, duke u bërë thirrje simpatizantëve të PD-së, që më 30 qershor të shmangin dhunën e duke ngritur zërin “si qytetarë europianë”.
“Edi Rama po kërkon viktima, që t’i përdorë ato për të justifikuar apo mbajtur pushtetin. por ne nuk duhet të lejojmë që asnjë fije floku i asnjë shqiptari të preket për të zgjatur jetën e kësaj kufome politike. Ndaj ju ftoj të gjithëve që të mos biem pre e provokimeve të Edi Ramës. Refuzojeni Edi Ramën! Braktiseni Edi Ramën! Mos iu përkulni presionit të tij për të dalë në votimet farsë! Denonconi çdo gjë që regjimi i tij bën, presionin, dhunën, fallsfikimin, mashtrimin! Mbi të gjitha, le të jemi bashkë më 30 qershor, duke ngritur zërin si qytetarë të denjë evropianë”.
Në fund, Lulzim Basha ka dhe një thirrje, disi të dëshpëruar, duke treguar se PD është shumica, falë protestave. “Të respektojmë gjithë mundin dhe sakrificat e çdo shqiptari gjatë këtyre 6 vjetëve – të çdokujt që ka ngritur zërin, të çdokujt që ka protestuar, që ka denoncuar, që ka kritikuar, që është distancuar nga ky regjim. Së dyti, duhet të jemi plot besim. Ne sot jemi shumica, më të bashkuar se kurrë gjatë këtyre 6 vjetëve, më të qartë se kurrë gjatë këtye 6 vjetëve, me një qëllim të drejtë dhe një kauzë të madhe”, tha Basha.