Nipi 16-vjeçar i viktimës ishte një nga autorët e ngjarjes horror të ndodhur në Mallakastër më 5 janar 2020. 3 të rinj kanë përfunduar në pranga, nën akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes së 50-vjeçares Drita Saliaj.
Të rinjtë përkatësisht nipi i saj L. Saliaj, 16 vjeç, së bashku me dy shokët e tij S. Sh., 16 vjeç dhe E. Z., 26 vjeç, kanë hyrë në banesën e viktimës për ta grabitur me idenë se nuk kishte njeri në shtëpi. Por kur kanë hasur rezistencën e viktimës dhe janë identifikuar nga ajo, të rinjtë e kanë rrëmbyer, më pas e kanë lidhur me litar dhe e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit.
Ngjarja është raportuar sot në mëngjes në polici nga familjarët e viktimës për humbjen e kontakteve me të prej dy ditësh. Policia nisi hetimet ku u gjet trupi i pajetë dhe u zbardh e gjithë dinamika e ngjarjes.
Sipas policisë nipi i 50-vjeçares, hyri për të grabitur shtëpinë e xhaxhait, i cili ishte emigrant, duke menduar se nusja e tij nuk do të ishte. Fatkeqësisht 50-vjeçarja i njohu dhe përfundoi viktimë e tyre. Trupi i saj është nxjerrë nga rezervuari nga polumbarët e RENEA, ndërsa u arrestuan edhe 3 të rinjtë.