Ish presidenti Bamir Topi ka
botuar së fundi librin me kujtime “Nocturn”, kur përshkruan ngjarje nga jeta
politike. Gazetat sot kanë shkëptur një pjesë ku ish presidenti Topi ka përshkruar
momentin e futjes në politikë të Bujar Nishanit. Topi shkruan se Bujar Nishani
ishte thjeshtë një punonjës karburanti tek Plepat në Durrës kur ai e futi në
politikë dhe e takoi për herë të parë me Sali Berishën.
“–Mendoj që pas rezultateve
zhgënjyese, Shaban Memia duhet të lirohet nga detyra e sekretarit, -tha ai
(Berisha). Vendosa të mos shprehesha dhe të dëgjoja se ku do të dilte. -Unë nuk
kam një emër për ta zëvendësuar dhe po e pate ndonjë, na thuaj ta propozojmë në
mbledhjen e radhës në Kryesisë, – tha Berisha. Pas një pauze të shkurtër i them
se nuk kam përse mendohem, sepse e kam një emër. -Cili është? -Është personi që
ka qenë kryetar komisioni në zonën tim elektorale, Bujar Nishani quhet, – i
thash duke menduar se do e njihte ndopak. -Nuk e njoh, çfarë profesioni ka ky?
-Ka qenë oficer dhe tani punon në një biznes privat, i punësuar. E lash
shpjegimin me kaq, për të mos e ndërlikuar situatën, duke mos i thënë që
punonte në një pikë karburanti. Në fakt unë doja shumë që aty të ishte Bujari,
pasi krijova konsideratë për të dhe doja t’ia ‘shpërbleja’ angazhimin që pati
në punën e komisionit të zonës sime, ku beteja zgjedhore ishte një nga më të
fortat në Tiranë. Berisha, pasi u mendua pak, me sa duket duke mos pasur ndonjë
emër tjetër në mendje vazhdoi: Hajde nesër së bashku me të, ta takoj njëherë!”,
shkruan Topi I cili më pas shton se Nishani I ka dalë kundër në 2007 kur ai do
të kandidonte si president. Madje Topi shkon më tej duke e cilësuar Nishanin “intelektual
mediokër dhe servil i Sali Berishës”.
I menjëherëm ka qenë reagimi i ish
presidentit Bujar Nishanit. Ai shkruan sot se nuk i është dashur kurrë të
punojë se pompist por nëse do kishte nevojë do e kishte bërë edhe atë punë. Ai gjitashtu
tregon se kur hyri në presidencë pas Bamir Topit e gjeti atë të kthyer në një
mensë.
“Nuk kam preferuar kurrë ti
kundërpërgjigjem provokimeve dhe sulmeve të ndërsyera të Bamir Topit vetëm për
një arsye.
Duke e njohur mirë atë njeri, që
për shkak të kompleksit të thellë të inferioritetit që e karakterizon, është
përpjekur gjithë jetën e tij vegjetative të ndërtojë kontraste haluçinante me
të tjerët që e mundonin me qënien e tyre.
Nuk kam reaguar as kur mora
detyrën e Presidentit të Republikës dhe u skandalizova kur e gjeta
institucionin më të lartë të Shtetit Shqiptar të kthyer në një vend ku
kalbeshin mbeturina të hedhura prej vitesh, e ku vendi më i investuar ishte
kuzhina e gatimit dhe menca e ngrënies.
Në fakt nuk mund ta mendoja më
parë se si zyra e Kryetarit të Shtetit të kthehej në kuzhinë gatimi e ngrënie.
Natyrisht që e ktheva urgjentisht
atë ambient në një bibliotekë e dhomë për median dhe të gjithë ambientin e
Presidencës në një vend dinjitoz për shtetin e qytetarët.
Tashmë Bamiri më paska bërë edhe
pompist karburanti !!!
Të punosh pompist nuk është
ndonjë gjë e keqe aspak.
Kam respektin dhe nderimin tim më
të madh për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që bëjnë atë punë.
Ajo është shumë më e ndershme se
sa p.sh. ti ushqesh fëmijët me paratë që ju merr si gjoba gjyqtarëve e
prokurorëve.
Por mua nuk më është dashur të
punojë kurrë si pompist.
Nëse do ta kisha të nevojshme atë
punë do ta bejë pa asnjë problem”, shkruan Nishani.