Qëllon me thikë një person, arrestohet i moshuari në Fier

Policia e Fierit ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes dy personave, që mund të kishte rezultuar fatal. Me anë të një komunikate publike, Policia e Fierit njofton se ka ndaluar një person, i cili dyshohet se ka goditur me thikë një tjetër person për motive të dobëta duke e lënë të plagosur. Sipas uniformave Blu, mësohet se shtetasi me inicialet A.M., 64 vjeç, gjatë një konflikti në lagjen “16 Prilli” në Fier, ka goditur me mjet prerës shtetasin L.T., 46 vjeç.

Gjatë momentit të konfliktit janë njoftuar punonjësit e patrullës së policisë, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Në këto rrethana, Blutë e Fierit kanë arrestuar shtetasin A.M., ndërsa shtetasi i plagosur është dërguar në spital për të marrë kurim nga mjekët.

“Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Fier ka kapur në flagrancë autorin e dyshuar së bashku me thikën me të cilën kreu krimin. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e policisë.

Skip to toolbar