Pas dosjes për përgjimet e zgjedhjeve në Dibër, e njohur si “Dosja 184”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka transferuar një tjetër dosje të bujshme. Bëhet fjalë për dosjen hetimore në ngarkim të biznesmenit Orest Sota, i cili u arrestua në vitin 2017 në Elbasan, ku gjatë kontrollit në mjetin e tij u gjetën 863 mijë euro të padeklaruara dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.
Sipas Report Tv, mësohet se kanë qenë dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, që kanë shpallur moskompetencë për këtë dosje, duke e dërguar për hetime të mëtjeshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit.
Dosja i ka kaluar në dorë prokurores Erida Konkonozi, e cila do të vijojë hetimin për biznesmenin Sota. Ashtu si në rastin e dosjes 184, edhe përë transferimin e kësaj dosje argumenti është i njëjtë, “veprat penale të kryera në këtë dosje nuk janë në kuadër të grupit të strukturat kriminal”, duke shpallur moskompetencë për hetimin e mëtejshëm të dosjes.
Vendimi nga Krimet e Rënda për transferimin e kësaj dosjes është marrë gjatë muajit korrik, ndërsa së fundi ajo i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit. Orest Sota akuzohet për veprat penale “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së të ardhurave” dhe u arrestua në Elbasan ku në makinën e tij u gjetën një shumë prej 863 mijë euro dhe dy patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.