Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka dalë në konferencë për shtyp nga ambientet e partisë së tij pas përfundimit të protestës së shtatë kombëtare të opozitës. Vasili tha gjatë fjalës së tij se pas ditës së sotme Edi Rama shënoi orët e fundit të tij.
“Edi Rama shënoi orët e fundit e tij. Ai do të na khejë në monizëm me vetëm një parti. Ai sot u kthye në vendin e krimit në Lezhë ku pak ditë më parë ka firmosur 300 milionë euro grabitje. Të majtë dhe të djathtë nuk e duan monizmin”, u shpreh Vasili.
Më tej ai shtoi se sot të majtë dhe të djathtë nuk e duan më Edi Ramën Kryeministër, ndaj, sipas Petrit Vasilit, shqiptarët do të luftojnë dhëmbë për dhëmbë me kriminelët.
“Ndaj sot jemi të gjithë pa asnjë kthim prapa. Rama është një kryeministër i paligjshëm në çdo ditë që rri. Shqiptarët do luftojnë dhëmbë për dhëmbë me kriminelët që janë në pushtet dhe me kryekriminelin, Edi Rama. Mirënjohje pa fund për qytetarinë që treguat. Prandaj ashtu si ishim këtë herë akoma më shumë në protestën tjetër do i japim fund kësaj krize, që shqiptarët nuk e meritonin kurrë”, tha ndër të tjera Vasili.