Disa pjesë të kryeqytetit spanjoll Madrid do futen në izolim për të frenuar rritjen e numrit të të infektuarve me covid 19, teksa rastet në Evropë vijojnë të rriten. Që nga e hëna, më shumë se 850 mijë persona në rajonin e Madridit do të përballen në kufizim në lëvizje dhe grumbullime. Spanja ka numrin më të lartë të rasteve me coronavirus në Evropë dhe Madridi është sërish rajoni më i goditur.
Sakaq, disa vende tashmë po përgatiten për një valë të dytë të pandemisë teksa dimri po afron. Franca ka regjistruar numrin më të lartë të rasteve ditore me coronavirus qëkur ka nisur pandemia, 13 mijë e 215 raste të reja, përfshirë këtu edhe ministrin francez të financave Bruno Le Maire, i cili është shprehur se ka rezultuar pozitiv ndaj coronavirusit por pa simtoma. Disa qytete në Francë përfshirë Nisën dhe Marsejën po i nështrohen kufizimeve më strikte.
Britania e Madhe ka regjistruar 4322 raste të reja, shifra më e lartë kjo që prej 8 majit. Kryeministri britanik Boris Johnson ka paralajmëruar se një valë e dytë e coronavirusit është e pashmangshme. Pjesë të mëdha në veri të Anglisë po i nënshktrohet tani kufizimeve të reja.
Ambientet e brendshme të restoranteve do të ndalohen në kryeqytetin irlandez Dublin dhe udhëtimet e panevojshme pas rritjes së rasteve të reja me covid. Danimarka ka vendosur të ulë numrin e grumbullimeve nga 100 në 50 dhe ka dhënë urdhër që baret dhe restorantet të mbyllen më herët. Masa po merren edhe në qytetet kryesore në Holandë dhe Greqi.