Dikur shok skuadre dhe miq të mirë, sot së bashku punojnë në të njëjtin ekip, njëri si trajner dhe tjetri si drejtues i lart në klub. Bëhet fjalë për Genaro Gattuson dhe Paolo Maldinin, me të parin që drejton skuadrën në fushën e lojës dhe të dytin që drejton klubin. Gjatë ditës së sotme, ish-kapiteni i kuqezinjve, Paolo Maldini, ka folur për situatën e klubit në lidhje me UEFA-n, ndërsa ka “votëbesuar” Gattuson si trajner.
“Ne jemi të kënaqur me Rino dhe kurrë nuk e kemi vënë në diskutim. Nuk e kemi pasur kurrë idenë e largimit të tij. Jemi të bindur se është trajneri i duhur për Milanin. Klubi ka një marrëdhënie shumë të drejtpërdrejtë me të, si me lojtarët.
Rino di gjithçka, e di se çfarë mendojmë për të dhe për punën e tij. Gjithashtu, ai mund t’iu japë një dorë të rinjve, pasi e njeh mirë këtë mjedis. Ai ka një kontratë 2-vjeçare. Leonardo dhe unë shpesh i themi njëri-tjetrit: sa mirë do të ishte, po të fitonim me Rino në stol. Ne flasim drejtpërdrejt, shumë më mirë se sa të flasim prapa krahëve”.
Të mërkurën, kërkesa e UEFA-s për nisjen e një hetimi mbi “fair play financiar” ka mbërritur, por Maldini sqaron historinë dhe është optimist: “Edhe vitin e kaluar duhej të përjashtoheshim nga garat europiane, por më pas erdhi vendimi i CAS. Ne jemi gati për çdo gjë, kemi shumë armë. Si klub duam që të mos jetë një përballje e vështirë dhe pa dialog. UEFA e ka kuptuar se Milani është një klub i shëndetshëm financiarisht, me drejtues kompetentë, që dëshiron të kthehet në krye. Do të diskutojmë me UEFA-n, por vitet para Elliott janë në shqyrtim”.
Pastaj, shpjegon rëndësinë e arritjes së objektivit sezonal: “Kualifikimi në Ligën e Kampionëve do të ishte bonus i madh si për merkaton, ashtu edhe për entuziasmin e grupit. Do të ishte diçka e keqe, po të mos shkojmë në Europën e të mëdhenjve për herë të shtatë radhazi”.