Patenta shqiptare “lëviz” lirshëm në këto shtete

Ministri i Jashtëm Gent Cakaj ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë duke i njoftuar se tashmë disa shtete e njohin pasaportën shqiptare dhe mund të udhëtoni lirshëm me automjetin tuaj.

Njohja e patentave shqiptare do ju mundësojë udhëtimin me automjetin tuaj drejt Belgjikës, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, ndërsa është ende në zhvillim e sipër njohja nga Italia dhe Greqia.

Patenta shqiptare aktualisht njihen nga këto shtete:

Belgjika: Shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.

Kroacia: Shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015.

Maqedonia e Veriut: Shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013.

Serbia: Shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015.

Mali i Zi: Shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015.

Kosovë: Shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012 e tutje. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.

Nga ana tjetër, janë dy procese paralele në zhvillim e sipër për pranimin e lejeve të drejtimit me Italinë dhe Greqinë:

Italia: pas daljes së modelit të ri të lejeve të drejtimit, marrëveshja përkatëse që ka hyrë në fuqi në vitin 2009 dhe rinovuar në vitin 2014, i është nënshtruar ndryshimeve teknike të nevojshme. Ndryshimet teknike në marrëveshje janë pranuar parimisht prej dy qeverive dhe marrëveshja e re pritet të hyjë në fuqi pasi palët të njoftojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme. Sipas parashikimeve të marrëveshjes, kjo çështje pritet të mbyllet përfundimisht shumë shpejtë.

Greqia: Marrëveshja dypalëshe për këtë çështje është nënshkruar në maj 2018. Edhe pse pala shqiptare ka përfunduar procedurat e brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, ajo nuk është ende në fuqi ngaqë pala greke nuk e ka ratifikuar atë në Parlament. Pra, çështja në fjalë nuk varet më nga Qeveria e Shqipërisë, por nga votimi në Parlamentin grek.

Skip to toolbar