Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit
Patozi reagoi në rrjetet sociale, pas sulmit që një i ri (pjesë e FRPD në Shkodër),
i bëri deputetes Rudina Hajdari. Patozi reagon ashpër dhe shënjestron
drejtuesit e PD, duke u shprehur se opozitën e quajnë “pronë” apo “leje ndërtimi”.
“Janë më shumë të marrë, se sa të poshtër, dhe për këtë nuk duhen marrë
asnjëherë seriozisht.
Ata mendojnë se opozita është pronë, leje
ndërtimi apo tender, që ka nevojë patjetër për firmën e tyre, sepse vetëm
kështu e konceptojnë politikën dhe atë që vjen prej saj”, shprehet Patozi.
Patozi e quan skenë të neveritshme atë që
ndodhi në Shkodër, ndërsa shprehet se opozitës e vetmja gjë që i ka mbetur është
e ulëritura, pas revolucioneve që hëngrën bijtë e vet.
“Ndaj edhe mos u çudisni, kur të shikoni
skena të neveritshme si ajo me atë trimin nga Shkodra, që i hakërrehej Rudina
Hajdarit se përse ajo nuk e njihte tamam babain e vet, ashtu si ai vetë. Në
fakt është e vetmja gjë që u ka ngelur për të bërë, pas një serie të
pashembullt revolucionesh të premtuara, të cilat, ose nuk kanë shpërthyer
kurrë, ose kanë ngrënë bijtë e vet”, shkruan Patozi.
Në fund, Patozi shprehet se reagimi i të riut
demokrat në Shkodër, ishte i ngjashëm me ato të bishave të uritura, që u zvogëlohet
territori. “Është një reagim i ngjashëm me ato bishat e uritura, të cilat në ruajtje
të territorit, që u zvogëlohet përditë, shenjojnë duke përmjerrur hapësirën e
tyre, ku nuk duhet të shkelin të tjerët. Në shqip mund të thuhet edhe “tokë e
xanun”, përfundon kreu i BD./Realstory.al/
Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi mendon se zgjidhja për krizën politike në vend do të vijë pasi të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Por më parë, thekson Patozi, duhet të bëhet reforma zgjedhore dhe të ndryshojë rrënjësisht KQZ.
Ai apelon që edhe opozita jashtëparlamentare ta
mendojë seriozisht këtë kërkesë dhe të mendojë për zgjedhje të parakohshme,
duke hequr dorë nga kushtet. (PD dhe LSI refuzuan të futeshin në zgjedhjet e 30
qershorit, pasi vendosën si kusht, largimin e Ramës nga posti i kryeministrit.)
“Opozita reale përfshirë edhe bindjen
Demokratike, ne jemi të gatshëm që zgjedhjet të jenë të parakohshme dhe sa më
të shpejta, po pas një reforme zgjedhore se ndryshe nuk do të kenë asnjë
kuptim. Në qoftëse do të bëhen me sistemin dhe konfiguracionin aktual të KQZ-së
nuk kanë asnjë kuptim. Ne nuk mendojmë se braktisja e zgjedhjeve është
zgjidhje.
Ne sigurisht duam që ky sistem të çrrënjoset
dhe të fillojë me ndryshimet kushtetuese, që sipas nesh dhe shumë aktorëve të
tjerë janë thembra e Akilit për të zgjidhur problemin. Kriza sipas nesh e këtij
sistemi dhe degradimi i tij ka ardhur si pasojë se partitë vetë nuk janë
demokratike, partitë që nuk i bëjnë zgjedhjet vetë kanë pretendime të larta kur
janë në garë me kundërshtarin atëherë thelbi i demokracisë fillon tek vetë partitë, që sipas nesh janë
problemi që ne kemi shkuar në këtë pikë”, është shprehur Patozi në një
prononcim për Vizion Plus.
Shkarkimi i Metës
Ndërsa në lidhje me nismën e parlamentit për të
shkarkuar Metën, Patozi deklaron se kriza nuk zgjidhet edhe nëse shkarkohet
presidenti. Ai komenton edhe seancën dëgjimore të presidentit në Komisionin
Hetimor parlamentar duke u shprehur se për një moment parlamenti i Shqipërisë, iu
duk si ai holandez.
“E vetmja befasi ishte etika që palët shfaqën
ndaj njëri tjetrit dhe me thënë të drejtën mua nuk më pëlqen shumë pasi kam
parasysh se është i njëjti president e njëjta mazhorancë, shkumëzuan gjatë periudhës
së verës dhe sidomos gjatë fushatës elektorale dhe nuk është më një shenjë e
mirë, sepse kam përshtypjen se dëmet më të mëdha të këtij vendi i shkaktohen kur palët vendosin që të bëjnë
Pazar dhe jo kur palët janë emocionalë dhe e çojnë konfliktin deri në ekstrem.
Sot pamë një pamje të përmbysur të kësaj, pamë një parlament që ngjasonte me
atë hollandez dhe dukej sikur ose jemi para një pazari ose politika është aq
hipokrite saqë përpiqej që të tregojë atë që në fakt nuk është”, ka deklaruar
Patozi.
Raporti i OSBE-së
I pyetur për raportin e OSBE/ODIHR –it për zgjedhjet e 30 qershorit, Patozi është shprehur se zgjedhjet ishin më keq sesa shkruhej në raport.
“Vëzhguesit e ODIHR sado të vëmendshëm të
jenë, janë të pamjaftueshëm për të parë të gjithë shkeljet dhe parregullsitë,
që Bindja Demokratike pati mundësinë që t’i shihte me sytë e vet si një nga
garuesit e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi parë dhe kemi evidentuar e çuar për
ankimim shumë shkelje akoma më të rënda sesa ato që evidentonte raporti i
OSBE-ODIHR dhe ajo që ka vlerë për publikun dhe jo vetëm për një parti
politike, është se në atë raport që ishte përgjithësisht realist dhe të dy
palët duhet të vënë duart në kokë sepse të dy palët janë të goditura si
shkaktare të një problematike shumë serioze që e ka çuar vendin që të jetë
delja e zezë jo vetëm e Evropës por edhe e rajonit. Ne bëjmë zgjedhjet më të
këqija se kushdo tjetër de të dy palët duhet ta lexojnë raportin dhe të gjejnë
një zgjidhje për krizën që është një reformë sa më e shpejtë dhe
gjithëpërfshirëse zgjedhore, por edhe kushtetuese sepse ne duhet të dalim
jashtë këtij sistemi politik që na ka çuar vendin në këtë gjendje”, është
shprehur Patozi.
Partia Bindja Demokratike, e drejtuar nga
Patozi, ishte e vetmja parti që mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit me
kandidatët e saj për kryebashkiakë në mbi 30 bashki në vend, por nuk arriti të
fitonte asnjërën prej tyre.
Sipas ish nënkryetarit të PD-së, tashmë
koordinator i Partisë Bindja Demokratike, që PD të fitojë zgjedhjet i duhet të
bindë elektoratin gri.
Në një intervistë në Abc News, Patozi theksoi se opozita duhet të bindë elektoratin “gri” që të rrëzojë qeverinë “Rama”, pasi të vetëm ata nuk do ia dalin të bëjnë ndryshime në politikë.
Ai gjithashtu i ka cilësuar patetike thirrjet
e Berishës për mosbindje civile.
“Është
patetike dhe është një lloj serumi që i jepet militantëve për të mbajtur
shpirtin gjallë, por
them që nuk zgjidh asgjë. Pse? Palët përpiqen
që Shqipërinë ta mbajnë bardh e zi. Qeveria thotë që ne kemi bërë më të mirën,
kurse opozita thotë që kjo është një skëterrë ku nuk jetohet, ose duhet të ikë
Edi Rama ose të largohemi fare nga Shqipëria. Në fakt Shqipëria ka ngjyrat e
veta. Nuk është as bardh, as zi, por që palët i mbajnë në skalionet e tyre të
mbledhura është problem i opozitës. Opozita ka nevojë që të marrë shqiptarët që
nuk besojnë qorrazi tek partitë se vetëm opozita e ka detyrimin që t’i bindë
ata që të rrëzojmë qeverinë sepse vetëm nuk ia del dot kurrë dhe sidomos në
kushtet e një opozite të djathtë, e cila ka edhe atë rezervuarin fillestar të
votës deficitar në raport me palën tjetër. PD duhet të kalojë ylberin për të
marrë elektoratin gri. Pala tjetër është më e relaksuar duke ruajtur thjesht
militantët e vet. Në rast se do jetë ndeshje fiton gjithmonë qeveria, por
sidomos kur është e majtë që është e dyfishtë”, tha Patozi.
Në vijim, Patozi tha se gjithë procesi për
ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta ishte i
neveritshëm, pasi shkallët e konfliktit që kanë dy institucionet më të
rëndësishme të shtetit, retorika që ato përdorin, përveç se kanë thelluar
krizën politike, shpreh edhe marrëzi politike.
“Ndjej
neveri për këtë. Ne jemi në një krizë politike e cila nuk është zgjidhur nga 30
qershori. Shpresoj që gushti dhe shtatori të sjellë një lloj qetësie të gjithë
personazheve por edhe të gjithë politikës në përgjithësi”, tha Patozi.
Bindja Demokratike ishte e vetmja parti që
mori pjesë në zgjedhje dhe u përfaqësua me kandidatët e saj për kryebashkiakë në gjysmat e bashkive të
vendit, por nuk arriti të fitonte asnjë bashki.
Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit
Patozi, zbulon sjelljen me dy standarde të PD-së, e cila sot është kapur fort
pas përgjimeve për shit-berje votash, ndërsa 3 vite më parë braktisën në mënyrë
të pakuptimtë seancën e Kuvendit.
Patozi tregon me video se çfarë ndodhi 3 vite
më parë ku PD humbi zgjedhjet në Dibër.
Ai thotë se me një urdhër të çuditshëm të
Lulzim Bashës, i gjithë Grupi parlamentar i PD-së braktisi seancën, ndërsa të
vetmit që qëndruan ishte ai dhe Jozefina Topalli.
“Meqë sot temë kryesore e debatit politik janë
përgjimet e publikuara nga BILD për zgjedhjet në Dibër, po publikoj fjalën time
në parlament, menjëherë pas përfundimit të tyre.
Atë ditë, me një urdhër të çuditshëm dhe të
pakuptueshëm të Lulzim Bashës, grupi parlamentar i PD braktisi seancën, ndërsa
në sallë nga opozita qëndruam vetëm Jozefina Topalli dhe unë.
Ta kenë ditur që atëherë vallë, se do të vinte
ky çast fatlum përgjimesh, që heshtën ditën kur duhet të shkundnin Kuvendin,
por po flasin tani pas gati 3 vjetësh?”, shkruan Patozi, ndërsa poston videon e
fjalimit të tij ku akuzon qeverinë për blerjen e votave në Dibër përmes parave.
Ai e cilëson këtë një fenomen të rrezikshëm, që
tjetërson vullnetin e shqiptarëve për të zgjedhur.
“Në rast se ju dukem sot si trim i vetëm në
luftë, e keni gabim, sepse lufta nuk fillon sot, luftën e kemi mbas një viti. Por
kjo nuk duhet të ishte luftë, duhet të ishte garë, duhet të ishte proces, por
ju në luftë i keni kthyer proceset elektorale në Shqipëri, që ditën kur erdhët në
pushtet e deri më sot.
E kërkova fjalën për të folur për Dibrën sepse
ky parlament nuk mund të mos e fshehë se është shumë frymëzues. Sot nuk është
një ditë e përshtatshme për një demokrat që të flasë për zgjedhjet. Sepse ne i
kemi humbur zgjedhjet dhe kjo është e vërtetë. Por mua kjo nuk më pengon fare që
të flas. Unë do ta veçoj Dibrën si një shembull, si një vitrinë të problematikës
së rëndë që ne kemi me zgjedhjet. Kjo maxhorancë e ka asgjësuar institucionin e
zgjedhjeve në Shqipëri që kur erdhi në pushtet. Të gjitha testet e zgjedhjeve
kanë dështuar që ditën kur erdhët ju në pushtet. Në Korçë vetëm pak muaj juaj i
bletë votat me 20 mijë lekë. Pas dy vjetësh e bëtë këtë provë gjenerale në të
gjithë Shqipërinë në zgjedhjet lokale që i fituat dhe i vodhët, tani i vutë vulën
me Dibrën para disa ditësh. Çfarë është ajo që ju keni sjellë në këto 3 vite. Keni
një meritë, keni rritur çmimin e votës. Në Korçë u ble me 20 mijë lekë, vota në
Dibër u ble me 70 deri në 100 euro”, është shprehur Patozi tre vite më parë në
një sallë kuvendi ku demokratët nuk ishin.
Ai gjithashtu shtoi se edhe “PD ka përgjegjësinë e saj për këtë që ndodh”, ndërsa shprehu shqetësimin se ky fenomen do të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme. “Meraku im është se çfarë do të ndodhë pas 1 viti. Dhe unë sot kam shqetësimin se Shqipëria po rreshket gramatikisht në një gjendje të pashpresë falë një vullneti diabolik për të tjetërsuar votën”, është shprehur Patozi.