Formacioni më i mirë i vitit në Angli, pakënaqësi për mungesën e Hazard!

Shoqata e Futbollistëve Profesionist në Angli ka publikuar formacionin më të mirë të vitit në Premier League. Ky formacion dominohet nga lojtarët e Manchester Cityt dhe Liverpool, dy ekipet që janë luftë për titullin këtë sezon.

“Qytetarët” kanë 6 lojtarë në këtë formacion, ndërsa “Të kuqtë” përfaqësohen me 4 të tillë. Paul Pogba është i vetmi futbollist i kësaj 11-she, që vjen nga Manchester United, duke plotësuar formacionin e vitit.

Prania e francezit në këtë formacion ka shfaqur habi për shumë kënd në Angli, sikundër dhe mungesa e Eden Hazard, me këtë të fundit që ka bërë një sezon të shkëlqyer me Chelsea, ndërsa nuk ka qenë kështu për Pogba.

Për këtë arsye, ka plasur debati në rrjetet sociale dhe nuk kanë fund talljet me një formacion ku të paktën Pogba nuk duhej të kishte vend, duke parë sezonin e tmerrshëm të United dhe të francezit, edhe pse kampioni i botës ka shënuar shumë gola, kryesisht me penallti.

Ederson (City), Arnold (Liverpool), Van Dijk (Liverpool), Laporte (City), Robertson (Liverpool), Bernardo Silva (City), Fernandinho (City), Pogba (United), Sterling (City), Mané (Liverpool) dhe Agüero (City) janë lojtarët që përbëjnë “Ekipin e Vitit” në Premier League.

Liverpool kthehet në krye për çmimin e “Lojtarit më të mirë të vitit” në Premier League, me Van Dijk, pasi edicionin e kaluar e fitoi Mohamed Salah. Më parë, po nga të kuqtë, kishin triumfuar në këtë drejtim Luis Suárez (2013-14) dhe Steven Gerrard (2005-06), ndër të tjerë.

Skip to toolbar