Iu merrte para studentëve për provimet, arrestohet pedagogu i Universitetit të Korçës

Arrestimi i pedagogut dhe sekserit në Korçë, policia jep detajet: U kapën me 300 euro dhe 50 mijë lekë, dyshohet se i përfituan nga studentët

Policia e Korçës njofton se ka arrestuar sot një pedagog dhe një sekser, të cilët dyshohet se merrnin para nga studentët, në këmbim të dhënies së provimeve.

Në pranga ka rënë pedagogu i Shkencave Humane Alket Dino dhe sekseri i tij, shtetasi Xhevi Dervishi.

Policia shprehet se ata janë kapur secili me një sasi prej përkatësisht 300 euro dhe 50 mijë lekë të reja, të dyshuara të përfituara nga studentët, në këmbim të dhënies së provimeve.

Njoftimi i policisë:

Korçë

Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser) të dy banues në Korçë.

Shtetasit e mësipërm, janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50 000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.

Skip to toolbar