Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është drejt ngritjes së saj. Të mërkurën kaloi me sukses Vettingun prokurori Altin Dumani, i cili është renditur kandidati me më shumë pikë nga KLP për t`u bërë anëtar i SPAK. Në të njëjtën ditë, në 31 maj, ndërkohë që Dumani dëgjonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në godinën e Kryeministrisë zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave. Në pikën e parë të rendit të ditës të kësaj mbledhje, ishte pikërisht miratimi i buxhetit për SPAK. 150 milionë lekë do të jenë në dispozicion të SPAK për të ushtruar aktivitetin gjatë muajve të mbetur të vitit 2019.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 10, të nenit 57, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, vendosi: Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019”, shkruhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pritet “të jetë funksionale në fund të muajit shtator”, është shprehur më herët kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Tashmë janë publikuar emrat e 15 porkurorëve të parë, që kanë marrë vlerësim pozitiv nga KLP dhe janë përzgjedhur si kandidat të SPAK.
Ky organ, sipas Kushtetutës përbëhet nga 15 porkurorë, ndërsa që të jetë funksionale mund të përbëhet dhe nga 10 prokurorë, të cilët si kushte kryesor që të bëhen anëtar të SPAK, duhet të kenë kaluar Vettingun dhe të jenë vlerësuar pozitivisht në kriteret profesionale dhe ato morale.
SPAK do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të politikës. Kjo strukturë pritet të “shkund” pluhurin e harresës të shumë dosjeve të politikanëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, të cilët në të kaluarën janë akuzuar për korrupsion, por që dosjet e tyre, ose nuk janë hetuar ose janë pushuar nga gjyqësori i kaluar.