Qitje me armë artizanale, plagoset rëndë 21-vjeçari në Poliçan

Një i ri, në moshën 21-vjeçare mbeti i plagosur rëndë pasditen e të dielës në Poliçan. Shtetasi me inicialet A.SH, 21-vjeç, sipas Policisë, ishte duke bërë qitje me një armë gjahu artizanale e improvizuar prej tij. Gjatë kohës që po kryente qitje, arma shpërtheu, duke dëmtuar të riun. Gjilpëra e armës e goditi 21-vjeçarin në fytyrë, e bashkë me të edhe gazrat e armës.

Pas ngjarjes, i riu është dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit ku i është dhënë ndihma e shpejtë. Megjithatë, ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore të specializuar.

Sipas policisë, gjendja e të riut është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, për 21-vjeçarin nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetis dhe sportive ” dhe “Prishje të qetësisë publike “, parashikuar nga nenet 274 e 280 i Kodit Penal”, njofton policia.

Betonieria “copëton” Benzin, plagoset shoferi

Një aksident ka ndodhur pasditen e të hënës në hyrje të qytetit të Lezhës. Një mjet i tonazhit të rëndë, betoniere, ka përplasur një veturë tip “Benz”.

Si pasojë vetua është bërë copash, ndërsa ka mbetur i plagosur drejtuesi i tij, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur.  

Ndërkohë, si pasojë e goditjes nga betonieria, vetura është përplasur dhe me një mjet tjetër tip furgon. Fatmirësisht, aksidenti nuk ka qenë me pasoja të rënda për jetën e të plagosurit.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Himarë, shpërthen makina, plagoset 26-vjeçari

Në orët e para të mëngjesit të së martës, në qytetin e Himarës një mjet ka shpërthyer në flakë. Mësohet se shkaku i zjarrit ka qenë rrjedhja e gasit e mjetit, që më pas ka çuar në shpërthimin e makinës. Mësohet se mjeti tip “Audi”, ka qenë i parkuar në anë të rrugës, ndërsa sipas policisë mësohet se makina ka qenë në pronësi të shtetasit me inicialet J.I., 26-vjeç.

Gjithashtu ka qenë policia që ka dhënë versionin se flakët janë shkaktuar si pasojë e shpërthimit të depozitës së gasit. Ndërkohë, menjëherë sapo ka dëgjuar shpërthimin, pronari i mjetit, ka dalë për të parë çfarë ka ndodhur.

Ai ka shkuar pranë mjetit, por në atë moment ka ndodhur një shpërthim i dytë. Nga ky shpërthim ka mbetur i dëmtuar dhe i riu, i cili është dërguar në spital, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.  Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Makina ‘fluturon’ në kanal, drejtuesi dhe pasagjeri në gjendje të rëndë

Një aksident me dy persona të plagosur, ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në aksin rrugor Korçë – Pogradec. Nga informacionet praprake mësohet se një mjet tip “Audi”,  ka dalë nga rruga, teksa ishte duke udhëtuar.

 Mjeti ka përfunduar në një kanal, ndërsa për shkak të përplasjes mësohet se është plagosur shoferi, i cili ka marrë plag të rënda, dhe një pasagjer.

Personat e plagosur janë dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës për të marrë mjekim. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes.

Pas nisjes së hetimeve, policia ka raportuar paraprakisht se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën po udhëtonte mjeti. Për këtë shka, dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga. Grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Bie dhe plagoset fatorinoja, arrestohet shoferi i dehur i urbanit në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar shoferin e një autobusi të linjës urbane në qytetin e Durrësit, pasi kishte lënë derën e mjetit hapur dhe për pasojë fatorinoja e autobusit ishte rrëzuar duke marrë disa plagë. Sipas një njoftimi të policisë, mësohet se personi me inicialet S.K., 52 vjeç shofer i autobusit të linjës së Unazës në Durrës, paraditen e të dielës ka drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Në këto kushte, pas nisjes nga stacioni, shoferi nuk ka bërë mbylljen e dyerve të autobusit. Kështu, fatorinoja, shtetasja me inicialet S.T. 50-vjeçe, ka rënë prej mjetit duke marrë dis plagë. Ajo është transportuar menjëherë për në spital ku ka marrë mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shoferi i urbanit është ndaluar nga punonjësit e policisë. Atij i është kryer testi i alkolit dhe ka rezultuar se ka qenë në i dehur. Në këto kushte ky shtetas është arrestuar nga policia për akuzën e “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ” Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.

Atentat në Elbasan, ndërron jetë vëllai i objektivit

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur ndaj një personi në orët e para të mëngjesit të së hënës, në aksin rrugor Peqin-Elbasan. Policia ka njoftuar se në afërsi të fshatit të quajtur Broshkë, një person ka hapur zjarr ndaj një makine, në të cilën udhëtonin dy vëllezër.

Mësohet se nga atentati, ka mbetur i plagosur një person, identiteti i të cilit jepet vetëm me inicialet, S.B. Ky person ka qenë duke udhëtuar bashkë me vëllain në mjetin e tij me targat AA 333 UZ, në momentin kur një tjetër person ka qëlluar në drejtim të tyre.

Nga atentati, mësohet se njëri prej personave, vëllai i objektivit, shtetasi me inicialet K.B, ka ndërruar jetë. Mësohet se ky shtetas ka mbërritur pa shenja jete në Spitalin e Elbasanit.

30 vjeçari me inicialet S.B, i cili mësohet paraprakisht se ka qenë objektivi i atentatit, ka marrë tre plumba, ndërsa pas ngjarjes ky shtetas është dërguar në spitalin e Elbasanit, ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka njoftuar se ka ngritur postblloqe për të kapur autorin.

Skip to toolbar