“Shkrihemi për njëri-tjetrin”, Plisat në Kosovë mbledhin 74 tonë ndihma

Grupimi i njohur i tifozëve nga Kosova, mbështetës të ekipit kombëtar, “Plisat” njoftuan se kanë grumbulluar të paktën 75 tonë ndihma ushqimore dhe veshmbathje. Ato njoftuan se ndihmat janë shpërndarë në zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

“Kontigjenti i parë i “Plisave” për sot ka mbërritur në Durrës. Aty janë 20 ton ushqime e veshmbathje, batanije e gjëra të tjera esenciale. Kontigjenti i dytë është afër Durrësit, në fshatin Radë, janë 30 ton ushqim si dhe gjëra të tjera esenciale. Kontigjenti i tretë porsa ka mbërritur në kufi dhe ka 25 ton ushqim dhe gjëra të tjera esenciale dhe është dreejtuar në Prezë, afër Durrësit”.

“Aksioni vazhdon edhe nesër në shesh, ndërsa i falenderojmë qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës që po i përgjigjen kaq bujarisht ftesës së Plisave. Shqiptarët e bashkuar janë të mahnitshëm. Në këtë tragjedi, e vetmja gjë që na bënë krenar është fakti që shqiptarët ruajnë besën dhe traditën. Shkrihemi për njëri-tjetrin”, thonë “Plisat”. Ndërkohë edhe grupime të tjerë tifozësh kanë mbledhur ndihma për banorët e prekur nga tërmeti.

Skip to toolbar