Ambasadori Wieslasw Tarka, koordinator i
Samitit të Poznan-it është shprehur optimist për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE në
Tetor ndërsa ka shprehur keqardhjen që këto negociata nuk u çelën në qershor.
Ai është shprehur se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE
as s’mund të sfidohet dhe as s’mund të zëvendësohet me forma të tjera angazhimi
të BE.
Në një intervistë për Deutsche Wellen, Ambasadori Wieslasw Tarka ka folur edhe për
reformën në drejtësi, ndërsa ka thënë se zakonisht politika nuk ka interes në
ndryshimet që ofron reforma në drejtësi.
DW: Ambasador Tarka, cilat janë çështjet kryesore që diskutuan ekspertët në forumin “Think Tank” dhe në Forumin e Shoqërisë Civile, në Samitin e Poznan, lidhur me politikat e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?
Wieslw Tarka: Forumi “Think Tank” iu kushtua
kryesisht situatës social-ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmes së
politikës së BE-së ndaj rajonit. Në Forumin e Shoqërisë Civile u diskutuan
Axhenda e Gjelbër për rajonin, mënyrat më të mira për të mbështetur
bashkëpunimin kulturor, procesin e pajtimit, politikat antikorrupsion,
dezinformimin dhe kërcënimet hibride ndaj demokracisë, perspektivat për të
rinjtë në rajon dhe zhvillimin e Organizatave të Shoqërisë Civile.
Mesazhi i përbashkët nga dy Forumet është i
qartë: duhet të ndryshojë mënyra sesi ka funksionuar deri tani zgjerimi i BE në
Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që zgjerimi si politikë dhe BE si aktor i
politikës në BP të mbeten të besueshme. BE dhe BP janë në udhëkryq: procesi i
zgjerimit duhet ose të përshpejtohet deri në arritjen e qëllimit përfundimtar,
që vendet e reja anëtare t’i bashkohen BE-së në një të ardhme të
parashikueshme, ose politika e zgjerimit dhe BE, si aktor politik në BP do të
humbasin qëllimin.
DW: A u dëgjua zëri i shoqërisë civile në samitin e Poznan-it për një politikë zgjerimittë BE në përputhje me realitetin në BP?
Wieslaw Tarka: Organizatat e shoqërisë civile,
pjesëmarrëse në samit, përgatitën materiale për politikën e zgjerimit dhe tani
po përgatisin konkluzionet nga diskutimet në Forumin e Shoqërisë Civile.
Organizimi i të gjitha ngjarjeve vetëm në një vend ishte një avantazh i Samitit
të Poznanit, sepse kjo bëri të mundur ndërveprimin mes zyrtarëve, ekspertëve
dhe organizatave të shoqërisë civile. Për herë të parë, përfaqësuesit e
shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor morën pjesë në sesionin plenar të
Ministrave të Jashtëm të BP.
Dw: Çfarë sugjeruan ekspertët e Ballkanit Perëndimor për të shtyrë përpara axhendën e konnektivitetit mes vendeve të rajonit, që mbetet një nga shtyllat e Procesit të Berlinit për lidhjen dhe bashkëpunimin rajonal?
Wieslaw Tarka: Para së gjithash, për ta bërë
Komunitetin e Transportit funksional, duhet përqëndrim jo vetëm në
infrastrukturën e rëndë, por edhe zbatimin e masave të buta, si psh.
harmonizimin e rregulloreve, që mund të shkurtojnë në mënyrë të konsiderueshme
kohën e udhëtimeve në rajon.
Rekomandimi i dytë është forcimi i pozitës së
Komunitetit të Energjisë që monitoron zbatimin e rregullores së politikës së
energjisë së BE në BP. Sipas Komunitetit të Transportit ky institucion është
dobësuar kohët e fundit dhe rekomandimet e tij nuk janë zbatuar. Çështja e
tretë është rritja e kapaciteteve të administratës në Ballkanin Perëndimor jo
vetëm në nivel qendror, por sidomos në nivel lokal. Një nga arsyet pse
projektet rajonale kanë mbetur pa u zbatuar është, se Ballkani Perëndimor nuk
ka kapacitete të mjaftueshme për të përgatitur sa më shpejt dokumentacionin e
nevojshëm.
DW: Çfarë mendojnë ekspertët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për sigurinë në rajon dhe kërcënimet kryesore ndaj saj?
Wieslaw Tarka: Ekspertët dhe shoqëria civile
diskutuan çështjet e sigurisë. Nga perspektiva e tyre kërcënimi kryesor për
sigurinë dhe stabilitetin në rajon është mungesa e një perspektive të
qëndrueshme anëtarësimi në BE, elitat politike të rajonit nuk kanë interes për
zbatimin e reformave, që do të forconin institucionet në rajon, sidomos
gjyqësorin, prokurorinë dhe policinë, që
janë vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, një kërcënim ky
kryesor i sigurisë në rajon. Pa një perspektivë të qartë anëtarësimi në BE,
elitat qeverisëse po kërkojnë aleatë alternativë si Rusia, e cila dëshëron të
destabilizojë rajonin.
DW: Cili është qëndrimi mbizotërues në Samitin e Poznan-it ndaj deklaratës të para disa ditëve të fundit të Presidentit francez, Macron, sipas të cilës Franca do të refuzojë miratimin e zgjerimit të mëtejshëm të BE derisa ai të rikuperojë kredibilitetin e humbur dhe përshpejtojë vendim-marrjen?
Wieclaw Tarka: Ekspertët në forumin “Think
Tank” i kushtuan vëmendje të veҫantë
qëndrimit të Francës. Sipas tyre, Franca po mbështet politikën e zgjerimit të
BE në BP sipas meritës. Por në fakt, politika që po ndjek BE është krejt e
kundërta: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet.
Rekomandimi i Komisionit Europian është pozitiv, por Parisi është kundër hapjes
së negociatave me këto dy vende. Politika e zgjerimit është politika më efikase
kundrejt vendeve fqinje me BE. Ekspertët mendojnë, se Franca po minon themelet
e kesaj politike dhe nuk po propozon asnjë alternativë. Ky qëndrim do të
dobësojë në masë të konsiderueshme
ndikimin e BE jo vetëm në BP por në gjithë vendet e tjera fqinjë me BE.
Qëndrimi i Polonisë është që procesi i
zgjerimit të BE ka një fuqi pozitive transformuese në BP dhe njëherazi është
një investim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Është shumë e rëndësishme të
sigurohet progresi i përgjithshëm i rajonit. BE duhet të plotësojë zotimet e
tij të qarta për integrimin europian të BP. Anëtarësimi në BE i vendeve të BP
as nuk mund të sfidohet, as nuk mund të ndryshojë në forma të tjera
angazhimesh, siҫ sugjerojnë disa shtete anëtare. BE duhet të përmbushë
angazhimet dhe konfirmojë kredibilitetin e tij në të gjithë rajonin dhe përtej.
Është e rëndësishme që BE të përballojë bashkë
me BP sfidat e tanishme si psh lëvizjet migratore, terrorizmin, kërcënimet
kibernetike, kërcënimet hibride nga Rusia dhe aktorë të tjerë.
Polonia, si shumica e shteteve anëtare, është e kënaqur që Komisioni Europian rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Na vjen keq që nuk u mor vendim muajin e kaluar, në qershor, dhe presim që në tetor të merret një vendim pozitiv, pa asnjë vonesë të mëtejshme./DW/