Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë është shprehur se kriza politike në Shqipëri në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ka ngadlësuar ritmin e ekonomisë në vend. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Jan Kees Martijn është shprehur se në kushtet që po kalon vendi, qytetarët dhe bizneset janë të prirur të redutojnë shpenzimet apo investimet.
“Në raportin tonë ne theksuam se Shqipëria po kalon një periudhë paqëndrueshmërie të lartë politike dhe jam i sigurtë që audienca juaj është në dijeni të ngjarjeve. Paqëndrueshmëria politike sjell ngadalësim të rritjes ekonomike. Familjet mund të shtyjnë shpenzimet e tyre pasi duan të kursejnë për një të ardhme të pasigurtë. Kompanitë mund të shtyjnë investimet e tyre derisa ta dinë çfarë do të ndodhë. Këto sjellin ngadalësimin e ekonomisë. Në këtë pikë nuk shohim në të dhënat që kemi se kjo ka ndodhur por ka padyshim rrezik”, është shprehur shefi i FMN-së.
Ndërkohë, për Jan Kees Martijn, qeveria shqiptare është vazhdimi i reformave ekonomike dhe zbatimin e masave kundër korrupsionit. “Këshilla jonë për qeverinë është të vazhdojë reformat ekonomike, veçanërisht reformat për forcimin e institucioneve, forcimin zbatimit të ligjit, reforma në drejtësi, zbatimin e fuqishëm të masave kundër korrupsionit dhe të gjitha këto do të sjellin minimizimin e efekteve të kësaj paqëndrueshmërie politike”.
Lidhur me një nga akuzat e shpeshta të opozitës, se PPP-të, apo investimet me Partneritet Publik-Privat, sipas Jan Kees Martijn, janë një mundësi e mirë për zhvillimin e infrastrukturës, por duhet që më parë të bëhet një analizë e kujdesshme. Shefi i FMN-së për Shqipërinë ka theksuar se aktualisht qeveria shqiptare po përmirëson kuadrin ligjor të PPP-ve. “Është e rëndësishme të pranojmë se Shqipëria ka nevojë për infrastrukturë dhe qeveria ka të drejtë të kërkojë mënyra për të rritur shpenzimet për rrugë, porte dhe aeroporte. Është e arsyeshme ta realizojë këtë përmes PPP-ve”.
“Ne kemi theksuar se PPP-të sjellin rreziqe për buxhetin. Pra është shumë e rëndësishme të sigurohemi që kur merren në shqyrtim këto projekte të ketë një analizë të kujdesshme, të vlerës së investimit, të rrezikut që po ndërmerr dhe e monitoron nga afër situatën nëse këto rreziqe materializohen. Kemi vënë re se këto masa nuk janë zbatuar gjithmonë. Autoritetet po punojnë për ta përmirësuar këtë, për të ndryshuar kuadrin ligjor të PPP-ve për t’i dhënë ministrisë së Financave një rol qëndror në monitorimin e projekteve, por edhe për të qënë e përfshirë në përgatitjen e projekteve para se ato të nënshkruhen”.