Stevo Pendarovski është zgjedhur President i Maqedonisë së Veriut ndërkohë që kanë qenë votat e shqiptarëve që kanë përcaktuar rezultatin e fituesit.
Pendarovski është kandidat i partisë Social-Demokrate të kryeministrit, Zoran Zaev. Ai fitoi bindshëm kundër rivales së opozitës, Gordana Siljanovska.
Sipas rezultateve zyrtare, Pendarovski fitoi 51.71 për qind të votave, ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mori 44.68 për qind.
Pas fitorës, Stevo Pendarovski tha se do të jetë president i të gjithëve. “Do të jem president i të gjithëve, i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, romëve, vllahëve, boshnjakëve. Do të jem president i shtetit që nuk do të turpëroheni. Do të punojmë për të mirën e vendit, për procesin e integrimit euroatlantik. Misioni im do të jetë uniteti e jo ndarja mes popullit, që krenar të gjithë të ecim para drejt synimit kryesor, zhvillimit të vendit dhe anëtarësimit në strukturat euroatlantike”, ka deklaruar Pendarovski.
Ndërsa kryeministri Zaev tha se “Maqedonia zgjodhi një president evropian”.