Spiunin e Bild do e gjejnë prokurorët e Elbasanit, Krimet e Rënda moskompetencë

Hetimi i audiopërgjimeve për dosjen ‘339’ dhe ‘184’, të cilat u publikuan në gazetën gjermane Bild, ka përfunduar në Prokurorinë e Elbasanit. Sipas një lajmi publikuar nga ‘Report.tv’, mësohet se shkak për këtë transferim të dosjes së hetimit nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është bërë ‘konflikti i interesit’ që ka ky organ akuze. Prokurorja Donika Prela ka vendosur që të shpallë moskompetencë për hetimin e kësaj dosje, duke argumentuar se ka konflikt interesi, pasi dyshohet se audipërgjimet kanë dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka pasur dhe ka në hetim dy dosjet hetimore për blerjen e votave në Durrës dhe Dibër. Kështu, dosja e hetimore për “Publikimin e sekretit hetimor”, pra të audiopërgjimeve të publikuar nga Bild, i kalon Prokurorisë së Elbasanit.

Ky vendim i Donika Prelës ka ardhur me qëllim që të shmanget çdo dyshim mbi objektin e hetimit. Tashmë do të jenë prokurorët e Elbasanit, ata që do të hedhin dritë mbi gjetjen e “spiunit” që çojë përgjimet te Bild. Mazhoranca ka akuzuar opozitën se i dërgoi pikërisht ajo përgjimet te gazeta gjermane, por opozita e ka rrëzuar këtë akuzë. Megjithatë, në një nga emisionet në “Real Story”, ish-deputetit dhe ministri i PD-së, Arben Imami, u shpreh se opozita ka pasur dijeni, madje i ka pasur të zbardhura përgjimet e Durrësit që në vitin 2017. Gjithashtu, në një tjetër emision të “Real Story”, gazetari Aratan Hoxha, ngriti dyshime se përgjime te gazeta gjermane Bild, janë dërguar nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, dhe jo nga prokurorët që kanë pasur dosjen nën hetim.

Ndërkohë, për çështjen në fjalë, Kryeministri Edi Rama ka hapur një proces gjyqësor në Gjermani ndaj gazetarit të Bild, Peter Tiede, për publikimin e ktyre përgjimeve. Në audipërgjimet e publikuara nga Bild, dëgjoheshin zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në Durrës dhe Tiranë, që flisnin me persona të ndryshëm nga drejtues të degëve lokale të PS tek persona me precedentë kriminal, duke krijuar indicie për blerje të votave në këto zona. Megjithatë, për të dyja dosjet hetimet vijojnë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa mazhoranca ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që të ketë rezultate dhe të vihen para drejtësisë, qoftë ata që kanë nxjerr sekretin hetimor, por edhe ata, nëse ka, persona që mund të jenë përfshirë në blerjen e votave.

Skip to toolbar