Data 25 nëntor do të jetë një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Tre vjet pas miratimit në Kuvend të Reformës në Drejtësi, një nga institucionet me të rëndësishme të saj, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Antikrimit të Organizuar (SPAK), do të ketë 8 prokurorët e parë të saj. Lajmin e dha kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së KLP të martën.
Ibrahimi u shpreh për gazetarët se: “Kemi vendosur që në datën 25 nëntor të marrim vendimin për të emëruar 8 prokurorët e parë të SPAK”, tha ai. Më pas, do të lihet një periudhë kohe tre-javore, që ky institucion të emërojë kryetarin e tij dhe të bëhet i mundur transferimi i dosjeve hetimore nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te SPAK.
Më pas, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të shkrihet duke mos ekzistuar më. Ndërkohë, pasi SPAK të ketë zgjedhur kryetarin e tij, ai do të vendos dhe për strukturën e Prokurorisë Speciale, ku sipas nevojës mund të kërkojë emërimin e prokurorëve shtesë të përkohshëm. Prokurorët që do të marrin detyrën më 25 nëntor janë: Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondilli, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra.
Megjithatë, ndonëse SPAK pritet të fillojë punë në fillim të muajit dhjetor, do të duhet të ngrihet paralelisht dhe Gjykata Speciale, e cila do të zëvendësojë Gjykatën e Krimeve të Rënda. Më herët, për këtë çështje, Gent Ibrahimi është shprehur se do të punohet paralelisht dhe me institucionet e tjera siç është Këshilli I Emërimeve në Drejtësi.