PD nxjerr dokumentet: Kajmaku u arrestua në Greqi për falsifikim parash

Partia Demokratike ka publikuar të hënën dokumentin ku sipas saj akuzohet kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku për të veprën penale të falsifikimit të kartëmonedhave. Sipas PD, Agim Kajmaku është kapur në flagrancë gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera me para të falsifikuara.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se Kajmaku duke përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi, është në procedim penal në Greqi për falsifikim parash, një  krim që dënohet me 10 vite burg dhe dëmin që Kajmaku nuk e ka kryer sipas PD-së. Bardhi deklaron se Kajmaku nuk e ka kryer ende dënimin në Greqi, pasi ai është lënë fillimisht në masën “detyrim paraqitje” pas arrestimit në 2003. Pas ngritjes së akuzës për arrestimin tij, drejtësia greke e ka pasur të pamundur ta dënojë, pasi Kajmaku është larguar menjëherë nga territori grek drejt Shqipërisë, ka thënë Bardhi gjatë konferencë për shtyp.

Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”.  Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi. Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej prokurorisë dhe gjykatës. Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim. Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm për falsifikim parash, por vendimi nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto në Agim Kajmaku.” – tha Bardhi duke shtuar se Kajmaku vijon të jetë në procedim penal në Greqi, pasi për shkak të krimit të rëndë, gjykata kërkon prezencën e tij për dhënien e akuzës. Për shkak të mungesës Gjykata ka pezulluar gjykimin e çështjes. Sipas PD Kajmaku ka një urdhër arrest me burg të pa ekzekutuar dhe nuk e ka marrë ende pafajësinë nga prokuroria greke.

Sipas ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda. Urdhri i arrestit të gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi. Ai ka të pa ekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi. Të gjitha këto të dhëna provojnë se Agim Kajmaku është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.”- thotë Gazmend Bardhi gjatë deklaratës për mediat.

Këto akuza janë hedhur poshtë më herët nga vetë Agim Kajmaku, i cili përmes një statusi në facebook,  thotë se ai vërtet ka pasur në Greqi emrin Jorgo Toto dhe këtë e ka të deklaruar në formularin për dekriminalizimin, por atësia dhe mëmësia nuk kanë qenë të ndryshuara, por kanë qenë emrat e vërtet të prindërve pra atësia Ymer dhe mëmësia Maxhe, dhe jo Thanas dhe Parashivi siç pretendon PD.

Në lidhje me rastin Kajmaku, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një letërporosi për autoritet greke, për verifikimin dhe dhënien e informacionit si dhe ka kërkuar nga kryebashkiaku i Vorës dhënien e shenjave të gishtave në njësinë e dekriminalizimit.

Ky është rasti i dytë që Partia Demokratike akuzon kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, pas atij të Shkodrës Valdrin Pjetri. PD “fundosi” Valdrin Pjetrin, për të cilin nxori dokumente, që tregonin se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Pas dokumenteve të publikuara nga PD, Pjetri dha dorëheqjen nga detyra, për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.

Skip to toolbar