DW: Merkel – Putin, Takim krizash në Moskë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel zhvilloi një takim me presidentin rus, Vladimir Putin të shtunën (11.01) për të folur mbi krizën në Lindjen e Afërt. Në vizitën në Rusi, Merkel ka qenë e shoqëruar nga ministri i Jashtëm gjerman,  Heiko Maas. Pas tensionimit të krizës me Iranin në ditët e fundit, shkallëzimit të situatës në Libi, Gjermania ka përforcuar përpjekjet diplomatike për mosashpërsimin e mëtejshëm të gjendjes në Lindjen e Afërt.

Gjermania dhe Rusia kanë shumë interesa të përbashkëta. „Të flasim me njëri-tjetrin, se mbi njëri-tjetrin”, ishte shprehur Merkel para takimit. Kurse ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha, se „për të çtensionuar krizat në fqinjësinë tonë, kemi nevojë për bisedime me Rusinë”.

Në Moskë kancelarja gjermane u shpreh edhe për tragjedinë e rrëzimit të avionit në Teheran para pak ditësh. Ajo e përshëndeti faktin që Irani pranoi përgjegjësinë, duke e quajtur “hap të rëndësishëm”, por „kjo mbetet një ngjarje dramatike”, tha Merkel. Kanë humbur jetën njerëz të pafajshëm. Irani duhet të zbardhë deri në fund gjithçka, kërkoi Merkel

Merkel dhe Putin janë shprehur optimistë, se gazsjellësi Nord Stream2 do të ndërtohet megjithë sanksionet amerikane. Masat amerikane do të sjellin vetëm një vonesë deri në fund të këtij viti ose në vitin 2021, tha Putin në konferencën e përbashkët të shtypit në Moskë.

Lidhur me gjendjen në Siri, kancelarja gjermane u shpreh, se shpreson për një koordinim më të mirë të ndihmës humanitare për Sirinë. Kurse presidenti Putin, i cili ka mbështetur presidentin Asad tha, se gjendja në vendin arab “është stabilizuar”, dhe se “strukturat shtetërore po ringrihen”.

Bisedime sa më shpejt për paqen

Merkel dhe Putin ranë dakord për mbajtjen shpejt të bisedimeve të paqes për Libinë. Merkel tha në Moskë, se Berlini do të jetë vendi ku do të zhvillohen bisedimet e paqes për Libinë. Në konferencën e përbashkët të shtypit, të dy krerët e shteteve janë shprehur, se konflikti duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur. Merkel tha se „shpresojmë, që përpjekjet e përbashkëta nga Rusia dhe Turqia do të kenë sukses, dhe së shpejti të dërgojmë ftesat për një konferencë në Berlin.” Edhe Putin e mbështet idenë e konferencës për Libinë. „Disa gjëra kanë nevojë për parapërgatitje, por do të ishte një hap i mirë në drejtimin e duhur”, tha Putin. Ndërkohë presidenti Putin i pyetur në Moskë, nëse në Libi po luftojnë mercenarë, si i ashtuquajturi grupi Wagner, u përgjigj, se nëse ka rusë atje, ata nuk përfaqësojnë shtetin rus dhe as nuk paguhen nga shteti.

Sipas të dhënave të zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas zhvilloi në të njëjtën kohë bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Konflikti në Libi, Siri dhe Ukrainën Lindore ishte në fokus të takimit mes dy ministrave.

Rëndësia e Rusisë

Partnerët perëndimorë kërkojnë që Rusia të luajë rol për mosshkallëzimin e mëtejshëm të gjendjes në Libi. „Ky është shansi i fundit për të penguar një armatim dhe gjakderdhje të re. Për këtë kemi nevojë të ulim në një tryezë vendet që kanë influencë në rajon, veçanërisht Rusinë”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas për grupin mediatik, Funke Mediengruppe.

Edhe politikanë të tjerë kanë vlerësuar rolin e rëndësishëm të Rusisë në zgjidhjen e konflikteve në botë. „Pa Moskën nuk ka shans për sukses përpjekja për stabilizimin e fqinjit tonë jugor”, tha politikani gjerman i partisë liberale, FDP, Alexander Graf Lambsdorff tha për gazetën „Passauer Neue Presse”, duke pasur parasysh këtu Libinë. Edhe politikani socialdemokrat për çështjet e jashtme, Nils Schmid shpreson në mbështetjen e Moskës për përpjekjet gjermane në konfliktin me Libinë. „Do të ishte sukses, nëse mund të bëjmë për vete Rusinë në këto përpjekje”, tha ai për median gjermane. Lambsdorff e cilësoi marrëdhënien gjermano-ruse, pavarësisht kundërshtive politike një „thesar. „Ka kaq shumë lidhje të ngushta gjermano-ruse në shumë fusha, saqë mendon, se ne jemi më afër me Rusinë, se vende të tjera perëndimore.”

Politikani i Gjelbër për çështjet e jashtme, Omid Nouripour, është shprehur për gazetën gjermane “Passauer Neue Presse” të shtunën, se pavarësisht nëse bëhet fjalë për Lindjen e Afërt, Libinë, konfliktin në Ukrainën Lindore. „Të gjitha këto janë tema, ku zoti Putin ka një ndikim të madh.” Ai shpreson që Moska të përdorë lidhjet e mira që ka me Teheranin, që Irani të respektojë marrëveshjen bërthamore.

Merkel e kishte vizituar Rusinë së fundmi në vitin 2018, kurse në vitin 2015, ajo mori pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Moskë./DW/

Shakaja (dyshuese) e Putinit, për zgjedhjet në SHBA

Ndërhyrja e Moskës për të favorizuar kandidatin Donald Trump që të ftonte zgjedhjet, janë hedhur gjithmonë poshtë nga Rusia, edhe pse inteligjenca amerikane tregoi të kundërtën në raportet e saj. Mirëpo kjo ndërhyrje duket se i ka rritur edhe më shumë dyshimet, kur Putin ka zgjedhur të tallet dhe të deklarojë se “Rusia do të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane të 2020”.

I pyetur se nëse Moska do të përzihej në zgjedhjet amerikane të 2020, presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se “Po iu tregoj një sekret, po, padyshim që do ta bëjmë në mënyrë që ju të kënaqeni, por vetëm mos i thoni njeriu”. Shumëkush do e cilësonte shaka pa kripë, ose shaka që në fakt rrit edhe dyshimet për një të vërtet brenda saj.

Megjithatë vetë Putini tha se këto dyshime janë qesharake dhe pa prova, ndërsa shtoi se Rusia ka problemet e saj të brendshme dhe nuk ka kohë të merret me problemet e vendeve të tjera.

Putin, vizitë 10 orëshe në Itali, blindohet Roma

Presidenti rus, Vladimir Putinit ka zhvilluar të enjten një vizitë zyrtare 10 orëshe në Itali, e cila është e para gjatë 4 viteve të fundit.

Fokusi i bisedimeve do të jetë rivendosja e dialogut Itali-Rusi. Mediat italiane shkruajnë se vizita e presidentit rus është shoqëruar me masa të rrepta sigurie, aq sa Roma duket e blinduar nga forcat policore. Rreth 50 akse rrugore janë bllokuar, ndërkohë që nëpër godina ka snajper dhe është njerrë në patrullim, skuadra anti terroriste, qeni.

Takimi i parë në axhendë është ai mes Putin dhe Papës. Ky është takimi i tretë i tij me Papën

Pas audiencës me Papa Françeskun në Vatikan, do të vijë një drekë në Quirinale me presidentin e Republikës, Sergio Mattarella. Pastaj në orën 16:15 bisedimet me kryeministrin Giuseppe Conte, dhe pastaj një konferencë të përbashkët për shtyp në Palazzo Chigi. Rreth orës 18.30, Putini do të flasë në forumin e dialogut italiano-rus.

Dita e delegacionit rus në kryeqytet, i cili gjithashtu përfshin Ministrin e Jashtëm, Sergej Lavrov dhe atë të Industrisë, Denis Manturov, do të mbyllet në orën 19:30 me një darkë pune në Villa Madama të ofruar nga Kryeministri Conte.

May dhe Macron nuk ftojnë Putin në ceremonitë për D-Day, reagon presidenti rus

Presidenti rus, Vladimir Putin është lënë jashtë ceremonive përkujtimore të zhvilluara në Britani dhe në Francë me rastin e D-Day, por vetë Putin është shprehur: “s’ka problem se s’kishte ftesë, pasi kishte shumë punë të tjera për të bërë”.

Presidenti rus ishte i ftuar në ceremonitë që u zhvilluan me rastin e 70 vjetorin, në vitin 2014, por u la jashtë këtyre ceremonive të zhvilluara me rastin e 75 vjetorit të zbarkimeve të aleatëve në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke folur në një forum ekonomik në Shën Petersburg, ai tha se mungesa e një ftese nuk përbënte një çështje.

“Ne gjithashtu nuk ftojmë të gjithë në çdo ngjarje. Përse duhet të ftohem kudo, unë kam punë  të mjaftueshme këtu”, tha ai.

Vërejtjet e tij erdhën një ditë pasi Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë këmbënguli se rëndësia e D-Day në rezultatin e luftës nuk duhet të tejkalohet.

Shtete perëndimore ndajnë qëndrime të ndryshme me Rusinë përsa i përket rëndësisë së D-Day. Ndërsa Britania dhe Franca e cilësojnë të përcaktues për fitoren e Luftës zbarkimin e aleatëve në Normandi, ndryshe mendon Rusia.

Rusët mendojnë se lufta e ushtarëve sovietikë kundër nazistëve dhe qëndresa e tyre e gjatë është më determinuese në fitoren e Luftës.

Moska kishte luftuar forcat gjermane në lindje për pothuajse tre vjet deri në kohën e operacioneve të D-Day që përfundimisht çuan në çlirimin e Evropës Perëndimore nga Gjermania naziste.

Bashkimi Sovjetik humbi më shumë se 25 milionë jetë në atë që quhej Lufta e Madhe Patriotike – më shumë se çdo komb tjetër. Rusia zhvillon një paradë masive ushtarake çdo vit për të përkujtuar përvjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe për të kujtuar rolin e trupave sovjetike.

Sondazhi, bie besimi i rusëve ndaj Putinit



Besimi i publikut ndaj presidentit rus, Vladimir Putin ka rënë në nivelin më të ulët në 13 vitet e fundit, thuhet në një sondazh shtetëror rus.

Sondazhi, i publikuar nga Qendra për Kërkime të Opinionit Publik, gjeti se besimi ndaj Putinit ka rënë në 31,7 për qind, që është niveli më i ulët që prej vitit 2006.

Megjithatë, pavarësisht nivelit të ulët të besimit, vlerësimi i përgjithshëm ndaj Putinit vazhdon të jetë 65,8 për qind.

Presidenti rus, Putin ka pësuar një rënie në popullaritet që prej se u rizgjodh më 2018, mes rritjes së shqetësimit të publikut mbi rënien e të ardhurave dhe vendimit të Qeverisë për të rritur moshën e daljes në pension.

Besimi ndaj Putinit kishte arritur rekordin prej 17 për qind më 2015, pasi Rusia aneksoi një vit më parë Gadishullin ukrainas të Krimesë.



Nga Korea në Rusi me tren, Kim Jong takim me Putin

Pas takimeve të zhvilluara me presidentin amerikan Donald Trump, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka udhëtuar me trenin e tij privat drejt Rusisë ku do të takohet me presidentin Vladimir Putin.

Kim Jong-un do të marrë pjesë në një samit që do të zhvillohet në qytetin rus Vladivostok ku do të diskutohet për çarmatimin bërthamor.

BBC shkruan se Kim Jong un pritet të kërkojë nga presidenti rus lehtësimin e sanksioneve në një kohë kur bisedimet me Shtetet e Bashkuara për çarmatim bërthamor, kanë ngecur.

Kim Jong-un ka zhvilluar dy samite me Donald Trump, por pa finalizuar një marrëveshje. Të shohim se si do të shkojnë bisedimet me Putin.

Skip to toolbar