Fushatë kundër plastikës, Klosi: Merr fund në 2020

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur fushatën kundër përdorimit të qeseve plastike, për një Shqipëri më e pastër dhe të gjelbër. Për kufizimin e përdorimit të qeseve plastike edhe qeveria miratoi një ligj në korrik 2018, duke reduktuar prodhimin e tyre me 50%. Në aktivitetin e mbajtur për të ndërgjegjësuar qytetarët për dëmet që plastika sjell në mjedis, ministri Klosi thotë se në terren situata vijon të jetë problematike, prandaj kudo në Shqipëria ka nisur fushata “Vari torbën qeses”, e cila do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë për ta reduktuar në masën 100% prodhimin dhe përdorimin e qeseve plastike, brenda 2020-s.

Një nga problematikat e madhe që ka sot Shqipëria është edukimi mjedisor! Përpiqemi shumë që të dëshmojmë që Shqipëria është një vend i përgatitur për të pritur miliona pushues të huaj, por kur shohim se çfarë ndodh në realitet në terren kuptojmë që kemi problematika të mëdha sa i takon mënyrës sesi e trajtojmë mjedisin. Nëse duam që turisti që vjen në Shqipëri të rikthehet, nëse duam të prodhojmë ekonomi dhe të zhvillojmë turizmin gjithëvjetor, duhet të mbrojmë dhe kujdesemi për mjedisin”, tha ministri Klosi, i cili pranon se nuk është e lehtë për të ndryshuar një mentalitet të tërë, por që mund të arrihet nëse përpjekjet e qeverisë do të mbështeten edhe nga autoritetet lokale, të përfshira në këtë proces.

Vitin e kaluar në kuadër të fushatës “clean and green 2020” ministria e mjedisit ka hartuar një strategji të re për trajtimin e mbetjeve urbane. Kemi evidentuar vend-depozitimet ilegale që duhen mbyllur. Kemi krijuar të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore dhe do të kërkojmë nga ky shtator që së bashku me kryetarët e bashkive të zgjidhim problematikën e licencimit të vendeve ku do të depozitohen mbetjet në Shqipëri. Ka ardhur koha të kuptojmë që për mjedisin duhet të sakrifikojmë më shumë dhe që gjithë shoqëria duhet të japë një kontribut më të madh për të eliminuar përdorimin e qeseve plastike deri në zëvendësimin e tyre me trasta. Ky është objektivi ynë madhor”, u shpreh ministri Klosi.

Skip to toolbar