Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi së bashku me të rinjtë e projektit Smile Albania dhe FRESSH, kanë zhvilluar një aksion për pastrimin e malit të Dajtit. Gjatë fjalës së tij, Klosi u shpreh se do tu bëhet thirrje organizatave të shoqërisë civile të përfshihen në pastrimin e mjedisit, që sipas ministrit, bëhet për një Shqipëri më të pastër.
“Të rinjtë e Smile përgjatë dy muajve kanë ndihmuar në pastrimin e të gjitha zonave bregdetare dhe turistike por sot në malin e Dajtit na janë bashkuar edhe të rinjtë e Tiranës nëpërmjet FRESSH-it për të dhënë një mesazh shumë të fortë sensibilizues. Përgjatë gjithë ditës ne do të pastrojmë këtë hapësirë duke vazhduar të bëjmë thirrje që tashmë vitin administrativ që fillon ne do t’u kërkojmë të gjitha organizatave të shoqërisë civile dhe po ashtu pushtetit lokal dhe shoqërisë në tërësi që të punojmë fort për një menaxhimin krejt tjetër të mjedisit për një Shqipëri më të pastër”, tha ministri Klosi.
Më tej, ministri u shpreh se qëllimi kryesor është lufta pakompromis me plastikën në vend. Sipas tij, brenda këtij viti do të kalohet në parlament ligji, që do të kufizojë vitin e ardhshëm përfundimisht përdorimin e qeseve plastike.
“Në operacionin tonë ‘Clean and Green 2020’ një nga pikat e rëndësishme ka qenë eliminimi i qeseve plastike, prandaj brenda këtij viti ne do të kalojmë ligjin që kufizon në pranverën e vitit 2020 përfundimisht qeset plastike në vendin tonë dhe brenda vitit 2020 eliminimin e të gjithë plastikës”, u shpreh ministri Klosi. Deputeti i Partisë Socialiste, Eljo Hysko tha se FRESSH ka vendosur që këtë vit t’i bashkohet aksionit të MTM për të pastruar zonat e mbrojtura, bashkitë e vendit dhe zonave turistike.