Voltana Ademi i ankohet qeverisë: Jam e ligjshme, më jepni lekë se do punoj

Me anë të një letre, dërguar Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe përfaqësive diplomatike në vendin tonë, Voltana Ademi, kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, ankohet se Dega e Thesarit në qytetin veriperëndimor ka bllokuar punën e bashkisë. Sipas letrës së Voltana Ademit, mësohet se Dega e Thesarit nuk ka pranuar të paguajë faturat e shërbimeve të Bashkisë Shkodër. Sipas Voltana Ademit, ky veprim i Degës së Thesarit është i paligjshëm. “Me këto veprime të jashtëligjshme nuk po bllokoni kryetaren e bashkisë Shkodër, por qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre.

ju keni bllokuar sot rikonstruksionin e rrugës Oblikë-Velinaj-alimetaj, shërbimin e gjelbërimit, shërbimin e varrezave, shërbimet për mbirëmbajtjen e stadiumit “Loro Boriçi”, e të tjera punë në proces”, shkruan ndër të tjera Voltana Ademi. Më tej, në letër ajo citon dhe përgjigjen që i ka kthyer në rrugë elektronike Dega e Thesarit në Shkodër, që i sqaron se mandati i saj (Voltana Ademit), përfundon këtë 20 gusht në orën 16:30.

“Sipas ligjit, Kryetares së Bashkisë i mbaron mandati më datë 20.08.2019, ora 16:30 sipas orarit zyrtar”, thuhet në emailin e dërguar nga Dega e Thesarit në drejtim të Bashkisë Shkodër. Ndërkohë, po në këtë email, Dega e Thesarit, i sqaron kryebashkiakes së Shkodrës, se në ‘vijim do të jetë këshilli bashkiak që do të zgjidhë problemin’.

Në fakt, Realstory.al lajmëroi të hënën, se ndonëse Voltana Ademi do të jetë në krye të bashkisë deri në zgjedhjet e ardhshme, sipas ligjit për Pushtetin Vendor, mandati i saj në këtë periudhë tranzitore do të jetë i kufizuar për shkak të fuqive ligjore që ka këshilli bashkiak në marrjen e shumë vendimeve (lexo këtu shkrimin)

Ndërkohë, në letrën drejtuar Ministres së  Financave dhe ambasadorëve, Voltana Ademi shkruan në fund se për këtë veprim do të vihet në dijeni Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonel në Këshillin e Europës, ndërsa kërkon që Drejtoria e Thesarit në Shkodër të tërhiqet nga ky veprim.

Skip to toolbar