Policia e Shtetit ka liruar 3000 m2 plazh
publik në Velipojë dhe Pogradec, i zaptuar në mënyrë të paligjshme nga biznese
private. Në kuadër të aksionit “Plazhi i lirë”, që nisi në Ksamil tre ditë më
parë, policia e shtetit ka nisur procedimin penal për 12 pronarë subjektesh, 9
në plazhin e Velipojës dhe 3 në Pogradec, të cilët akuzohen për veprën penale “Fshehje
e të ardhurave” dhe “Zënia e hapësirës publike”.
Konkretisht, Policia e Shkodrës në bashkëpunimin me FNSH Shkodër, liron dhe vë në dispozicion të pushuesve rreth 3000 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme. Për këtë arsye janë proceduar penalisht 9 pronarë subjektesh në Velipojë, nga të cilët: 8 pronarë të subjekteve tregtare për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 shtetas për veprën penale “Zënia e hapësirave publike”.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e
Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër proceduan penalisht për
veprat penale “Fshehja e të adhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”
shtetasit me inicialet: E. E., Gj. Rr., P. N., K. M., K. Gj., N. R., N. U. dhe
L. F., të cilët në plazhin publik Velipojë kryenin aktivitetin e tyre në mënyrë
të paligjshme. Po në vijim të operacionit u procedua penalisht për veprën
penale “Pushtimi i tokës”, shtetasi Gj.
F., pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se ky shtetas kishte zënë me
çadra plazhi e shezlongë hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet
përkatëse.
Operacioni ka vijuar dhe në Pogradec, ku janë
proceduar penalisht për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 3
shtetas, të cilët ushtronin aktivitetin privat të tyre, pa dokumentacionin
përkatës.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e
Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim e zbatim të planit
të masave për evidentimin, ndëshkimin e paligjshmërisë dhe konkretisht goditjen
e rasteve kundër informalitetit, proceduan penalisht shtetasit me inicilaet:
E.M., 31 vjeç, A.M., 46 vjeç dhe SH.R., 22 vjeç, banues në Pogradec, pasi gjatë
kontrolleve që shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë ushtruar në
aktivitetet e shtetasve të lartpërmendur (plazhe private), në Pogradec, janë
konstatuar një pjesë e shezlongëve pa dokumentacionin përkatës.